Kosova

Osmani e Kurti e urojnë Ylfete Fanaj për postin e ministres në qeverinë kantonale në Zvicër


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja e parë kantonale Ylfete Fanaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Ylfete Fanaj nga Kosova e cila është ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh edhe gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive.

Ajo përmes një komunikate për media ka thënë se Fanajn ka dëshmuar zellshëm dhe me vendosmëri përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet “pa përjashtim”.

“Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive. Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme”.

“Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën!”, ka thënë Osmani, shkruan Presidenca.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar atë duke u shprehur se të arriturat e saj janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën.

“Shqiptarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe e para që udhëhoqi me Parlamentin e këtij Kantoni, Ylfete Fanaj, sot u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit”.

“Si pionere shqiptare në politikë, të arriturat e saja janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën tonë në Zvicër, e cila për shumë vite tani i shërben me besnikëri shtetit zviceran”.

Teksa ka shtuar se “ky nuk ishte urimi i parë për znj.Fanaj dhe duket se nuk do të jetë i fundit”.

“I dëshiroj suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja. Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”.

Më 15 maj, Ylfete Fanaj, është zgjedhur si ministre kantonale, duke u bërë kështu e para shqiptare që i besohet një detyrë ekzekutive në Zvicër.

Fanaj fitoi garën me 45 mijë e 053 vota ndaj Hauser me 39,674 vota.

Po kështu, Fanaj, bashkë me kandidaten Michaela Tschuor nga Partia e Qendrës (Die Mitte), janë gratë e para në qeveri, pas një kohë të gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore