Lajme

Osmani e Kurti do të bëjnë homazhe në Poklek e Çikatovë, në nderim të 77 viktimave të 17 prillit 1999


Kryesisht fëmijë, gra e pleq.

77 shqiptarë civil u vranë e më pas kufomat e tyre u dogjën nga forcat paramilitare e ushtarake serbe në fshatin Poklek i Vjetrër e Çikatovë e Vjetër në komunën e Drenasit, më 17 prill të vitit 1999.

Sot, 24 vite më vonë, në nderim të këtyre viktimave presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të shkoj në vizitë.

Sipas njoftimit zyrtar të presidencës, Vjosa Osmani do të bëj homazhe në kompleksin memorial në Poklek të Vjetër duke filluar nga ora 11:00. Më pas, është bërë e ditur se ajo do të ndalet në vizitë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek. Një orë më vonë, nga ora 12:00 ajo, homazhe do të bëj në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër.

Homazhe në këto dy fshatra këtë të hënë do të bëj edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Vizita e tij në Poklek të Vjetër do të nis 15 minuta më vonë sesa ajo e presidentes.

Viktimat e kësaj masakre, përfshinin foshnje gjashtë muajsh, fëmijë të grupmoshave të ndryshme, vajza e gra të reja, e pleq deri në moshën 75 vjeçare, të gjithë të pa armatosur.

Të gjithë, pasi u vra e masakruan një nga një, forcat serbe për së vdekuri i dogjën kufomat e tyre. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e kësaj vepre kriminale nuk u ndëshkua nga drejtësia as vendore e as ndërkombëtare.

Nga 77 viktimat, 53 prej tyre janë nga fshati Poklek i Vjetër.

Rrëfimi i familjes Muçolli, Caraku e Elshani, sipas dëshmitarëve  

Me 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli, Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit.

Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje përanash është gjuajtur edhe me armë.

Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje.

Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë“?

Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar.

Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit, 55 vjeçe.

Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë.

Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar.

Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të.

Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e koridori, por e tërë shtëpia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore