Lajme

Osmani: E jashtëzakonshme që dy vende ballkanike po drejtojnë struktura multilaterale botërore


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht mbajtës i Presidencës së OSBE-së gjatë këtij viti, Bujar Osmani, ka thënë se është një situatë e jashtëzakonshme për rajonin, që dy vende ballkanike po drejtojnë struktura multilaterale të kësaj rëndësie botërore, si Këshilli i Sigurimit dhe OSBE-ja.

Për këtë, ai edhe e falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për gjithë organizimin dhe mundësinë e dhënë për të folur globalisht rreth luftës në Ukrainë.

Sipas Osmanit, agresioni rus është sfida më e ngutshme e gjithë botës, pasi ai shkatërron gjithë jetën e Ukrainës dhe shkatërron çfarë ai shtet ka ndërtuar.

“Ne e ndjejmë ndikimin e kësaj lufte në popujt e rajonit tonë”, shtoi Osmani. “Por veprimi shumëpalësh kërcënohet të bëhet viktimë tjetër e kësaj lufte”.

Për të, askush nuk fiton prej kësaj lufte dhe të gjitha vendet do të njohin veçse humbje prej aj.

Në cilësinë e Presidentit të OSBE-së, ai tha se nuk ka për këtë organizatë ndërkombëtare një çështje me më shumë rëndësi.

“Ne e duam ndaljen e kësaj lufte”, përforcoi ai. “Duam të ndihmojmë njerëzit në terren, ata të cilët mbështesin kauzën e drejtë”.

Po ashtu, ai ka kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të luftës dhe ka shtjelluar se aktorët ndërkombëtarë, duhet të bëjnë më shumë dhe më mirë që shtrirja globale e OSBE-së, të vihet në punë më së miri.

Me fjalët e Nënë Terezës, ai e përmblodhi gjithë mesazhin në këtë takim: Unë vetë nuk di të bëj shumë gjëra. Ti vetë nuk di të bësh shumë gjëra. Por të dy së bashku, mund të bëjmë shumë gjëra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore