Osmani e cilëson “qesharake” deklaratën e Konjufcës, ashpërson kritikat ndaj Kurtit e Gërvallës rreth Këshillit të Evropës

SHFLETO

Vjosa Osmani-Sadriu

 

Armat Matoshi
29.05.2024 15:21
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia Online” të mërkurën, kritikoi ashpër krerët institucionalë, posaçërisht kryeministrin, kryediplomaten dhe kryekuvendarin, për letërzotimin të cilin e nisën në adresën e Këshillit të Evropës në përpjekje për të marrë mbështetjen e nevojshme për anëtarësim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se një ndër arsyet përse nuk e informuan presidenten e shtetit – institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme – për letërzotimin e minutave të fundit, qëndron në faktin se Osmani s’ka qenë prezente në Kosovë, por në Shtetet e Bashkura të Amerikës (SHBA).

“Jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani – në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme – kanë qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit…”.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një letër drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mes të majit, njoftoi se ekzekutivi kosovar është duke përgatitur një draftstatut për mekanizmin vetëmenaxhues për serbët të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, duke u shmangur nga zotimet e kaluara.

Prandaj, shefja e shtetit konsideroi se kjo letër i “hodhi në ujë” krejt zotimet e mëparshme të tre liderëve institucionalë, posaçërisht rreth zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe: “Ajo letër s’ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që i kanë nënshkruar nga tre liderët”.

“Kjo letër ndryshoi në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtur deri atëherë – nuk mund të nxjerret çështja e asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes, por duhet të ketë zbatim paralel, dhe nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, kujtoi presidentja kosovare.

Duke u referuar në faktin se drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, publikoi letrën në rrjetet sociale, ajo pyeti: “qysh është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani – që po ashtu s’ka qenë prezent në Kosovë – mori letrën para presidencës së vendit, para parlamentit, para shoqërisë civile në Kosovë… kjo vërtetë është qesharake”.

Ndryshe, kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës nuk u mor parasysh nga organi vendimmarrës i organizatës, pavarësisht letërzotimit të autoriteteve kosovare para takimit të kryediplomatëve, kryesisht sepse Gjermania, Franca dhe Italia, vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.