Lajme

Osmani dhe Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz: Të reflektojmë për sakrificat që kanë bërë të gjithë heronjtë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në shënimin e ditëlindjes së heroit legjendar, Adem Jashari të martën e 28 nëntorit kanë bërë homazhe pranë varrit të tij dhe të familjarëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Bashkë me presidenten Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Konjufca, për homazhe në Prekaz është e pranishme edhe një pjesë e kabinetit qeveritar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para gazetarëve deklaroi se familja Jashari do të jetë i vazhdueshme duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.

“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja është familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së”.

“Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë”, tha Osmani.

Ndërsa, ka thënë se është “moment reflektimi”, për të gjitha atë që kanë bërë heronjtë tanë.

“Është moment reflektimi për atë që heronjët tonë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemajli, e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”.

E para e shtetit do të bëjë homazhe edhe në fshatin Boletin, tek varri i heroit Isa Boletini.

Përveç ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën e 28 nëntorit është shënuar edhe 111 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë.

Dalja e parë e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

Komandanti legjendar Adem Jashari të martën po të ishte gjallë do t’i bënte 68 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt.

Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht.

Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij.

Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj.

Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, betejë kjo që bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore