Lajme

Osmani dhe Hovenier diskutojnë për përgatitjen e zgjedhjeve të reja në Veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e reja në Veri dhe përgatitjet që po bëhen në këtë drejtim.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit”.

Ndërsa, është thënë se kanë diskutuar edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e Kosovës me SHBA-në.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje të tjera të interesit të ndërsjellë”, është thënë nga Zyra e Presidencës.

Osmani, të mërkurën ka takuar edhe kryetarin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqin me ç’rast ka diskutuar për procesin e peticionit i cili hap rrugën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Brenda vetëm një dite qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci e Izmir Zeqiri janë vetëm një hap larg shkarkimit nga posti që po mbajnë që nga muaj maj i vitit të kaluar.

Të njëjtit do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore