Lajme

Osmani dekoron ushtrinë bullgare me Medaljen Ushtarake Presidenciale


Vjosa Osmani dhe Valeri Tsolov

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, dekoroi ushtrinë bullgare, mori mirënjohje nga një universitet publik dhe u nderua me Çelësin e Sofjes.

Në prezencë të presidentin bullgar Rumen Radev, ministrit në detyrë të mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe gjeneralmajorit Valeri Tsolov, Osmani ka dekoruar Forcat e Armatosura të këtij shteti me Medaljen Ushtarake Presidenciale për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ajo theksoi se aktualisht në kuadër të KFOR-it, akoma shërbejnë ushtarët bullgarë, teksa nga viti 1999, janë 1 mijë e 600 ushtarë bullgarë, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Teksa ka folur për pasojat e luftës në Kosovë dhe intervenimin e NATO-s, Osmani ka potencuar se Bullgaria qysh në atë kohë ishte në anën e Kosovës.

Vjosa Osmani dhe Yordanka Fandakova

“Bullgaria nuk ishte ende anëtare e NATO-s në vitin 1999, megjithatë mori vendime të vështira por të drejta për të siguruar që ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë të ishte e suksesshme në ndalimin e krimeve monstruoze nga forcat gjenocidale  të Millosheviqit”, nënvizoi Osmani.

Ndërkaq, në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”, Presidentja Osmani u nderua me mirënjohje, e më pas para diplomatëve, stafit akademik dhe studentëve foli për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Kurse Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme dhe e të gjuhëve indo-evropiane dhe Ballkanike i ka dhuruar mirënjohje për studimin dhe kultivimin e mëtejmë të gjuhës shqipe në kuadër të Departamentit të Ballkanistikës.

E, shefes së shtetit, në shenjë nderimi i është dhuruar Çelësi i Sofjes nga prefektja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova.

“Çelësi hap dyer. Kjo vizitë zyrtare në Bullgari ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve e kryeqyteteve si dhe qytetarët tanë do t`i ofrojë më shumë ndër vete në funksion të dobisë reciproke”.

Osmani në Bullgari: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE e NATO, shtyllë e paqes dhe stabilitetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore