Lajme

Osmani deklarohet sërish për takimin me Lajçakun: Zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është vendimtar


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për takimin e së martës me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar sërish të mërkurën.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se me Lajçakun kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Veri.

“Në takimin e djeshëm me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak, diskutuam zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të punuar me partnerët për të kapërcyer sfidat e sigurisë. Theksova se zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit është vendimtar”, ka shkruar Osmani.

Duke shtuar se, “ende duhet të vazhdojnë diskutimet me hapa konkretë”.

Më 4 korrik, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në oborrin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se është arritur njëfarë pajtueshmërie për planin tre-pikësht të BE-së për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Emisari Lajçak, i cili erdhi në Prishtinë pas kërkesës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare i ka bërë gati “masat ndëshkuese” edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk lëvizë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Përfaqësuesi i BE-së të martën fillimisht zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kryeministrin Kurti, për të shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veri, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të pikave të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars).

Emisari Lajçak pas vizitës së tij në Prishtinë, njoftoi se me mision të njëjtë do të niset edhe në drejtim të Beogradit për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese.

Plani tre-pikësh i BE-së parasheh tërheqjen e njësive elitare të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme atje dhe garancën e serbëve lokalë se do të marrin pjesë në zgjedhje.

Lajçak: Kemi mirëkuptim për planin e BE-së për de-eskalim – gati janë sanksionet edhe ndaj Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore