Shqipëria

Osmani: BE-ja të ecë më shpejt në integrimin e Ballkanit, ndryshe rrezikon kthimin e konflikteve etnike në rajon


Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ecë më shpejt në integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi – ose, siç ka theksuar ai, “rrezikon rikthimin e konflikteve etnike në rajon”.

“Maqedonia e Veriut është multietnike, multikulturore… I vetmi narrativ që i ka nënshtruar këto narrativa konfliktuale dhe është bërë ngjitës për të gjitha këto narrativa është Bashkimi Evropian”, ka thënë Osmani për prestigjiozen amerikane “POLITICO”.

“Pra, ju keni të gjitha grupet, sociale, kulturore, fetare, etnike, të gjithë ndajnë të njëjtin ideal: BE-në”, shtoi.

Të gjitha vendet e rajonit, përkatësisht Prishtina, Shkupi, Tirana, Beogradi, Sarajeva dhe Beogradi, kanë aplikuar për anëtarësim në BE, por progresi i këtyre vendeve në këtë drejtim është i ndryshëm.

Të gjitha vendet, përveç Kosovës, kanë marrë statusin e kandidatit, por, në shumicën e rasteve, negociatat për anëtarësim kanë ngecur për vite me radhë.

Ndërsa, Osmani ka paralajmëruar pasoja të mundshme shkatërruese nëse shtytja për zgjerimin e BE-së dështon, derisa ka shtuar se rreziku i konflikteve etnike është gjithmonë i pranishëm.

“Ka pasur këtë debat nëse në Ballkan demokracitë multietnike mund të funksionojnë”, ka theksuar Osmani.

“Nëse dështojmë, për shkak se BE-ja nuk është mjaft bindëse, mendoj se do të jetë fillimi i një efekti domino në të gjithë rajonin”, shtoi ai. “Dhe mesazhi [do të jetë] se në Ballkan, demokracitë multietnike nuk mund të funksionojnë”.

Ndryshe, Unioni ka hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022, dhe ky vend aktualisht është duke kaluar nëpër procesin e shqyrtimit të BE-së, në të cilin takimet do të të mbahet deri në fund të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore