Lajme

Osmani: Baza e NATO-s në Kuçovë, hap i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit Perëndimor


Vjosa Osmani dhe Jens Stoltenberg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, tha se inaugurimi i bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë – qytezë në pjesën jugqendrore të Shqipërisë – shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së aleancës në Ballkanin Perëndimor.

“Hapja e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku është NATO, ka paqe dhe stabilitet!”, shkroi presidentja Osmani.

Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009, ndërsa këtë të hënë (4 mars) do të përurohet baza ajrore e NATO-s, duke shënuar një fazë të re në forcimin e kapaciteteve të aleancës për sigurinë rajonale. Në ceremoninë përuruese do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe NATO-s

Nga NATO janë investuar rreth 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga ekzekutivi shqiptar. Shqipëria mori përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimin, vendosjen e kamerave të sigurisë dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës.

Baza e Kuçovës gati për inaugurim, me rëndësi kyçe në operacionet e NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore