Kosova

Osmani autorizon dërgimin FSK-së për ndihmë Turqisë pas tërmetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Osmanit.

Ndërsa Qeveria përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.

“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”.

1 mijë e 651 persona kanë mbetur të vdekur në Turqi pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin dhe Sirinë.

Kjo shifër është e fundit e përditësuar nga ministria e Shëndetësisë e Turqisë.

Të paktën 11 mijë e 119 të tjerë u plagosën nga tërmeti, shtoi ministria.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Ndërsa Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për shkak të tërmetit vdekjeprurës.

Erdogan në postimin e tij në Twitter shkroi se, “për shkak të tërmeteve që ndodhën më 6 shkurt 2023, është shpallur zie kombëtare për shtatë ditë”.

Ai njoftoi se flamuri do të valëvitet në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të dielën, më 12 shkurt 2023, në të gjithë vendin dhe brenda përfaqësive të huaja.

Erdogan shpall 7 ditë zie kombëtare, flamuri në gjysmështizë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore