Osmani: A është interes që të shohim konflikt mes KFOR-it dhe Policisë – është e pafalshme që ndaj mikut të përdorim taktika si ndaj Serbisë
Vjosa Osmani
Valon Rashiti
15.08.2024 11:46Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë kundër hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, veçse ka theksuar se duhet koordinim me aleatët për këtë çështje, meqë sipas saj, Kosova nuk duhet të përdorë “taktika” të njëjta sikur kundër Serbisë.
“A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes ushtarit amerikan dhe policisë, nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet në këtë tokë me një gjë të tillë. Pra, të sigurohemi që gjëra të tilla të mos të ndodhin. Aleatët na kanë shpëtuar dhe urat kur të hapen ato të mbesin të hapura”, tha Osmani para gazetarëve pas takimit me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti.
“Nëse ndaj mikut përdorim taktika të njëjta sikur kundër Serbisë është e pafalshme, pasi miqtë nuk ka kthyen shpinën në momentet më të rënda. Mos të harrojmë, 99-ta nuk është larg, secilit na kujtohet ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, shtoi e para e shtetit.
Tutje, ajo ka potencuar se çështja e Urës së Ibrit duhet të jetë suksese i përhershëm, jo “i momentit”, derisa ka shtuar se ura nuk është dashur të mbyllet kurrë dhe patjetër që duhet të hapet.
“Ne duhet të sigurohemi që kur hapet duhet të mbetet e hapur, e jo që kur hapet e nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s mbi të”, potencoi Osmani.
Qeveria pa datë për hapjen e Urës së Ibrit
Ndërkaq Qeveria e Kosovës ende nuk e di datën e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim për vetura, meqë kryeministri Albin Kurti, nuk përmendi ndonjë datë në mbledhjen e Qeverisë, por potencoi se “konsultimet me partnerët tanë do vazhdojnë”.
“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti në mbledhjen Qeverisë gjatë të mërkurën.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, potencoi se janë në pritje të raportit final për stabilitetin e kësaj ure.
“Ne po e presim raportin final i cili do të vije brenda disa ditëve, mirëpo nuk presim që do të këtë ndonjë ndryshim. Instrumente të cilat janë përdorur për testime janë shumë të avancuara dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim”, potencoi Durmishi para gazetarëve.
Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetarin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.
Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.
Cilat ishin përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit?
Ndërkaq përpjekjet për hapjen e Urës së Ibrit ishin bërë për katër herë radhazi. Një hap i parë ishte bërë para më shumë se dy dekadash.
Në vitin 2001, pas përfundimit të luftës, pati përpjekje fillestare për të hapur urën për të mundësuar lirinë e lëvizjes ndërmjet dy komuniteteve, por tensionet mbetën të larta dhe ura u mbyll përsëri shpejt.
Një moment i rëndësishëm për hapjen e Urës së Ibrit, ishte në vitin 2013, atëherë kur edhe u arrit Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje përfshinte edhe hapjen e Urës së Ibrit, si pjesë e një plani më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe integrimin e komuniteteve të ndara në Mitrovicë.
Por, në vitin 2014, barrikadat janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”.
Ndërkaq, në vitin 2015 filloi projekti i Urës së Mitrovicës, i cili u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe përfshinte krijimin e një zone për këmbësor, kjo përpjekje ishte një pjesë e rëndësishme e planit për të integruar komunitetet e ndara dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ky “park” është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.