Sport

Osimhen arrin marrëveshje me Napolin për rinovimin e kontratës


Një nga emrat më të lakmuar në këtë afat kalimtar të verës, duket që nuk do të largohet nga skuadra e tij.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Napolit, Victor Osimhen, i cili thuhet se ka arritur marrëveshje me klubin për vazhdimin e kontratës.

Lajmin e bën të ditur “Calciomercato”, sipas të cilëve Osimhen do ta vazhdojë kontratën edhe për dy vite të tjera, pra ajo aktualja i skadon në vitin 2025, mirëpo në rast rinovimi, Osimhen do të jetë pjesë e ekipit italian deri në verën e vitit 2027.

Sipas mediumit të lartcekur, klubi do t’ia ofrojë sulmuesit nigerian një pagë prej 7 milionë euro në sezon plus bonuset lidhur me performancën e tij.

Gjithashtu në kontratë thuhet se do të vendoset një klauzolë lirimi prej mbi 100 milionë euro, por e cila do të aktivizohet nga 1 korriku i vitit 2024, që do të thotë se Osimhen nuk do të largohet nga klubi edhe për sezonin e ardhshëm.

24-vjeçari ishte ndër sulmuesit më të kërkuar në këtë afat kalimtar, por Napoli ka refuzuar të gjitha ofertat pasi për kartonin e tij duke kërkuar mbi 150 milionë euro.

Osimhen ishte një nga më meritorët që Napoli u shpall kampion i Italisë në sezonin e kaluar, duke kontribuar me 26 gola dhe pesë asistime në 32 ndeshje në Serie A.

Ai gjithashtu kontribuoi edhe me pesë gola në gjashtë ndeshje në Ligën e Kampionëve.

Osimhen është pjesë e Napolit që nga vera e vitit 2020 kur u transferua nga Lille për një marrëveshje rreth 80 milionë euro (ishin të përfshira para dhe disa futbollistë).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore