Kosova

OSBE: S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë


Zyra për Informim në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në një përgjigje për Radio Kosovën thanë se nuk ka kushte për procesin e mbledhjes së votave të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale që pritet të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.

“Misioni gjithashtu ka nevojë për mbështetje nga institucionet e Kosovës dhe kryesorja është nevoja për siguri nga Policia e Kosovës, si ofrues i parë i sigurisë. Për momentin, këto kushte nuk ekzistojnë”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së në Prishtinë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një letre drejtuar shefit të misionit të OSBE-së, Michael Davenport gjatë muajit tw kaluar, pati deklaruar se Serbia duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Kosovën, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e kryeministri Kurti.

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor 2023, derisa ka nisur edhe zyrtarisht fushata parazgjedhore.

Kurti letër shefit të OSBE-së, kushtëzon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore