Kosova

OSBE për Albanian Post: E kemi njoftuar Serbinë rreth kushteve të Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë


Ilustrim

Zyra për Informim në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka konfirmuar për Albanian Post të hënën se shefi i misionit të OSBE-së në Prishtinë ka pranuar letrën e Qeverisë së Kosovës në lidhje me zgjedhjet serbe në Kosovë, ndërsa për kushtet e propozuara nga kreu i ekzekutivit kosovar është njoftuar edhe Qeveria e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një letre drejtuar shefit të misionit të OSBE-së, Michael Davenport, ka deklaruar se Serbia duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë të planifikuara për në dhjetor të këtij viti.

“Ne mund të konfirmojmë se e kemi marrë përgjigjjen e kryeministrit Kurti në lidhje me zgjedhjet serbe, ndërsa misioni e ka njoftuar qeverinë serbe me përgjigjen e kryeministrit Kurti”, kanë thënë zyrtarë të OSBE-së, derisa kanë shtuar se OSBE-ja mbetet e gatshme që të mbështesë mbledhjen e votave, por vetëm me të njëjtat kushte sikurse në rastet e mëparshme.

“Me fjalë të tjera, vetëm nëse sigurohet një ambient konsensual, nëse kemi bashkëpunim me të gjitha autoritetet relevante në Kosovë dhe nëse garantohet mbështetje e nevojshme e sigurisë nga reaguesja e parë – Policia e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e OSBE-së.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Kosovën, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e kryeministri Kurti.

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar para dy jave për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale në disa qytete dhe komuna të Serbisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 17 dhjetor 2023, derisa ka nisur edhe zyrtarisht fushata parazgjedhore në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore