OSBE kërkon të shmangen veprimet destabilizuese, bën thirrje që zgjidhja të gjendet në dialog

SHFLETO

OSBE

 

Dini Fetahu
21.05.2024 14:38
Loading Icons...

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, kanë thënë se i kanë përcjellur me “shqetësim” veprimet e autoriteteve kosovare në Veri të vendit, pas mbylljes nga Policia e Kosovës të gjashtë degëve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në Veri – të banuar me shumicë serbe – derisa kanë bërë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të shkaktojnë destabilitet.

Këto komente, OSBE-ja i ka bërë përmes një postimi në platformën X, ku kanë theksuar se kjo organizatë mirëpret përpjekjet e bëra nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, për të gjetur një rrugë të dakorduar përpara për trajtimin e transaksioneve me para në dorë.

“Është thelbësore që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në në një përpjekje të dyfishuar për t’i zgjidhur këto çështje brenda Dialogut, për të shmangur veprimet destabilizuese dhe për t’i bërë prioritetet kryesore interesat dhe mirëqenien e banorëve të zakonshëm nga të gjitha komunitetet”, kanë shkruar nga kjo organizatë.

ShBA-të dhe Britania njëzëri kritikojnë Kosovën për aksionin në Veri: Veprime të pakoordinuara që mund t’i përshkallëzojnë tensionet

Ndryshe, të hënën, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media mbi aksionin e zhvilluar në Veri, ku u mbyllën gjashtë degë të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në këtë zonë.

E gjithë kjo ka ardhur pasi që në shkurt hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku ndalohej përdorimi i dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, ndërsa euro përcaktohej si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme.

Kjo çështje u bë temë diskutimi edhe në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja. Pas një seri takimesh në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, në Bruksel, përsëri nuk arrit një zgjidhje kompromisi për këtë çështje.