Lajme

OSBE-ja kërkon që projektligji për KPM-në të mos ketë ndikim të padrejtë në media


OSBE.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ka kërkuar që projektligji i cili synon rregullimin e mediave online duhet të shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.

OSBE, ka thënë se “mirëpret” synimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshim dhe plotësimin e ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian.

“Çdo legjislacion i ri duhet të sigurojë se nuk dobëson rolin e rëndësishëm të Këshillit të Mediave të Shkruara në vetërregullimin efektiv, duke përfshirë edhe për sa i përket përmbajtjes mediatike në internet”.

“Për të siguruar një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”, ka thënë OSBE-ja për Radio Evropën e Lirë.

Nga OSBE-ja, është thënë se është tejet e rëndësishme të krijohet një mjedis i favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, dhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ndërsa, për Bashkimin Evropian ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana për Radion Evropa e Lirë.

Pos BE-së, më 1 shkurt edhe Qendra Evropiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF), i ka bërë thirrje urgjente zyrës së kryeministrit të Kosovës, që ta rishikojë projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

“Kërcënimi me gjoba deri në 40,000 euro paraqet rrezik ekzistencial, veçanërisht për mediat kritike. Ky projektligj përjetëson një qasje armiqësore të partisë në pushtet, duke sinjalizuar një përpjekje të vazhdueshme për të shtrënguar kontrollin mbi median”, thuhej në komunikatë.

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë, KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore