OSBE-ja fton serbët të votojnë më 21 prill

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
09.04.2024 15:57
Loading Icons...

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kërkoi të martën që serbët në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – të dalin në votimet e thirrura për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave që pritet të mbahet më 21 prill 2024, duke nëvizuar faktin se ky proces u nis nga vetë votuesit serbë.

Megjithatë, në një komunikatë për shtyp të martën, misioni i OSBE-së në Kosovë kërkoi nga autoritetet e Kosovës, posaçërisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të shmangë idetë e reja sikurse përdorimi i kamerave në qendrat e votimit, të cilat, sipas misionit të OSBE-së, kërkojnë njëfarë shqyrtimi më të plotë dhe disa konsultime të duhura paraprake.

“Mbi 20 për qind e votuesve të regjistruar në secilën nga katër komunat veriore nënshkruan peticionet për tërheqjen e kryetarëve të komunave si pjesë e një procesi demokratik të iniciuar nga vetë votuesit sipas legjislacionit të Kosovës. Prandaj, votuesit kanë të drejtë të presin që inciativa e tyre të adresohet në përputhje me legjislacionin përkatës”, theksoi OSBE-ja.

“Pavarësisht nga deklaratat e fundit zhgënjyese politike që dekurajojnë votuesit që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, do t’u mbetet votuesve në secilën komunë që të vendosin nëse do të votojnë ose jo për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill. Pjesëmarrja e komuniteteve në proceset dhe institucionet demokratike është thelbësore për normalizim”.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të territorit kosovar që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) t’ia tërheqin vërejtjen Listës Serbe.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në rast se në votimet e 21 prillit në pjesën veriore të territorit kosovar nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.