OSBE: Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve pa kontestim, arritje për Shqipërinë

SHFLETO
Rajmonda Basha
18.03.2022 19:14
Loading Icons...

Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri ka bërë me dije se, për herë të parë në historinë 30-vjeçare të proceseve zgjedhore pluraliste, rezultati i zgjedhjeve u certifikua pa asnjë kontestim.

“Prezenca e OSBE-së përgëzon administratën zgjedhore dhe partitë politike për këtë zhvillim domethënës, i cili vërteton edhe një herë profesionalizmin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Gjithashtu bën me dije se kanë besim “se ata do ta ruajnë këtë arritje të rëndësishme, pasi qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje ku çdo votë respektohet”.

“Sikurse tha Komisioneri Celibashi, ka ende shumë për të bërë për të rritur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në reformën zgjedhore dhe mbetet partnerja kryesore e KQZ-së në përpjekjet për zgjedhje gjithnjë e më të mira”.

Një ditë më parë, Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 6 marsit.

Në zgjedhjet e pjesshme, PD-ja pësoi një humbje të thellë përballë socialistëve dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

PS-ja mori pesë bashki – Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Vorë dhe Dibër – pavarësisht pjesëmarrjes të ulët as 1/3 e zgjedhësve në total.

Ndërsa Bashkia e Shkodrës u fitua nga kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia.