Orloviç pranon fajësinë për sulmin e majit në Zveçan ndaj policisë dhe KFOR-it

SHFLETO

Sulmi i majit ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.

 

Altina Marmullaku
21.06.2024 16:17
Loading Icons...

Nenad Orloviç, ka pranuar fajësinë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, që kishte ndodhur në maj të 2023-së.

Pranimi i fajësisë ka ardhur pas marrëveshjes me Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të akuzuarit Orloviç.

Pasi që është aprovuar marrëveshja, gjykatësja Valbona Musliu Selimaj dhe prokurori special Bekim Kodraliu tha se dënimi i rekomanduar për veprën penale për sulm ndaj personit zyrtar është nga 15 deri në 17 muaj burgim.

Ndërsa, për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi sipas të njëjtit dënim i rekomanduar është prej 6 muaj burgim në mundësi shndërrimi në dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë deri 12 mijë euro.

Avokati i të akuzuarit, Gani Hoxha, kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese ndaj Orloviç-it.

Propozimi i tij ishte që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

I akuzuari tha se “e mbështes fjalën e avokatit Hoxha dhe premtoj se nuk do të përsërisë veprën penale. Nuk do ta lëshojë Kosovën, pasi që këtu e ka edhe familjen”.

Teksa, u shpreh i pajtimit që dënimi prej 6 muaj burgim për veprën penale pjesëmarrje në turmë t’i zëvendësohet në dënim me gjobë.

Më 20 qershor, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka arrestuar një person në Zveçan, i dyshuar për sulm ndaj trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar.

“Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës”, thuhej në njoftimin e policisë.

Aty theksohej se i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Si pasojë e sulmeve të serbëve në Veri të vendit kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe serbë.