Lajme

Orë “frenetike” në Donbas: Nga SMS-të te alarmi për “Planin Z”


Pas kërkesës së Republikave Popullore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut për ndihmë ushtarake nga Rusia, Donbas-i po përjeton orë shumë të tensionuara.

Raportimet lokale tregojnë se mesazhet me tekst (SMS) nuk po dërgohen në pjesë të Donbas-it.

“Ra operatori celular ‘Phoenix’. Mesazhet SMS nuk dërgohen”, shkruan një qytetare në Twitter.

Vladislav Davidzon i “Atlantic Council” shkruan se kjo është mbrëmja më e frikshme që ka parë ndonjëherë në kryeqytetin ukrainas.

“Të gjithë mendojnë se diçka do të ndodhë. Një mik që kaloi kohë me administratorin presidencial sot më thotë se dukeshin nervozë”, thekson ai.

Pamjet satelitore nga kompania Maxar shfaqin forcat ruse rreth 15 kilometra nga kufiri i Ukrainës dhe afër qytetit të saj të dytë më të madh, Kharkiv.

“Anadolu Agency” pretendon se ka pamje të tankeve ruse në Donetsk të Ukrainës.

Ajo ka postuar një video ku duket qarkullimi i tankeve ruse, pa lënë të kuptohet qartësisht pozicionimi i tyre.

“Shumë zhurmë në kanalet Telegram pro-ruse, disa thonë se niveli i alarmit të ushtrisë ruse është ngritur në nivelin më të lartë, të tjerë thonë se avioni rus bllokues është në ajër”, shkruan Ragip Soylu, shefi i “Middle East Eye”.

Ndërkaq, Pentagoni ka sqaruar se nuk ka asnjë tregues “që linjat e komunikimit midis shefave ushtarakë të SHBA-ve dhe Rusisë janë të mbyllura”.

Kanalet e DPR/LPR në Telegram pretendojnë se nesër “Plani Z” fillon misionin e tij për të rimarrë Novorossiya-n.

Në rrjete sociale ka edhe paralajmërime për këdo që ka një pozicion publik aktiv anti-rus në Ukrainë.

Këta të fundit, duhet të marrin masa për sigurinë personale.

“Jini tepër të kujdesshëm. Kushtojini vëmendje shtëpisë, punës, çdo vendi që vizitoni shpesh. Inspektoni makinën tuaj, mos lëvizni vetëm”, është mesazhi që i adresohet qytetarëve ukrainas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore