Lajme

Orbani merr meritat për lirimin e tre policëve kosovarë: Dëshmi e bashkëpunimit strategjik serbo-hungarez


Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka përshëndetur lirimin e tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga strukturat serbe të sigurisë më 14 qershor, ndërsa ka vlerësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për siç tha, hapin e marrë në “një periudhë sfidash serioze”.

Orban, gjatë një konference të përbashkët me presidentin Vuçiç më 20 qershor në Suboticë, nën pretekstin se “armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë”, kishte lutur presidentin serb që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit dhe t’i kthejë policët e rrëmbyer të Kosovës në vendin e tyre.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e presidentit Vuçiç, të cilin e bëri në një periudhë sfidash serioze”, shkroi Orban.

Marrëdhëniet mes dy liderëve populistë e autoritarë janë betonizuar në marrëdhënie të ngrohta që karakterizohen me takime të shpeshta mes tyre, ndërsa qëllimi kryesor i Orbanit thuhet të jetë minimi i unitetit të Bashkimit Evropian dhe të mbrojë aktorët kryesorë pro-Rusisë në rajon.

Kreu i ekzekutivit hungarez ndër të tjera theksoi se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kralevë – qytet në pjesën qendrore të Serbisë – është një “dëshmi e qartë” e bashkëpunimit strategjik mes Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa shtoi se ajo tregon edhe “përkushtimin e ndërsjellë” për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Tre policët kufitarë të Kosovës – Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi – të rrëmbyer nga strukturat e sigurisë së Serbisë më 14 qershor thellë brenda territorit të Kosovës në pjesën veriore, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, njoftoi të hënën Gjykata e Lartë në Kralevë.

Ndonëse aktakuza kundër tre policëve kosovarë është konfirmuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – ata ngarkohen me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse – të njëjtit do të mbrohen në liri, pra është marrë vendimi t’u ndërpritet paraburgimi.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vendin e quajtur Tresave/Bare nga autoritetet serbe të sigurisë, kishte shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Autoritetet e Kosovës e konsideruan fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe agresion ndaj sovranitetit të shtetit, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendonin se nuk bëhej fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë brenda territorit serb.

Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia) kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Edhe Bashkimi Evropian po ashtu vazhdimisht kishte kërkuar që të tre policët kosovarë të lirohen.

Kidnapimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore