Lajme

Opozita reagon për punësimin e motrës së Liburn Aliut


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas punësimit të motrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Libun Aliut, në Ministrinë e Shëndetësisë të udhëhequr nga Arben Vitia.

Zemaj i’a ka kujtuar edhe premtimin elektorale të kryeministrit, Albin Kurtit, gjatë fushatës.

“Me pak fjalë, kjo qeveri është krejt e padrejtë, sepse krejtve padrejtë ka me iu bë, përpos nipave, mbesave e familjarëve të tyre, të cilët ishin projektuar e proklamuar për dasma e ahengje, mirëpo përfunduan nëpër ministri e qeveri”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Vitin, për largimin e punojsëve shëndetësorë.

“Për Zotin, pushteti i kuq fort ia ka huq! Ministria e Shëndetësisë i largoi më shumë se 475 profesionistë shëndetësorë nga puna, thuajse ka kaluar pandemia. U veprua keq ndaj tyre, por edhe më keq ndaj qytetarëve që ende kanë nevojë për shërbimet e tyre”.

Sipas tij, punëtorëve shëndetësore i’u është bërë e pa drejtë nga ana e ministrit Vitia.

“Sa shumë u gëzuam kur këta profesionistë u bën pjesë e frontit të përbashkët në luftimin e armikut global, Covid-19. Sa shumë punë dhe kontribut dhanë në rrethana të jashtëzakonshme. Edhe më shumë kishin për të dhënë por, nuk i lejuan, i dënuan, i dëbuan”.

Edhe zëdhënësja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka reaguar për punësimin e fundit nga ana e pushtetit.

“Ofertë e jashtëzakonshme verore: merre pushtetin dhe punëso familjarët falas”, ka shkruar Kuçi.

Reagim pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Betim Gjoshi, sekretar organizativ i PDK-së ka thënë se edhe ministri Aliu po aktron njëjtë si kolegu i tij, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Qe pra, Liburni Aliu nuk e din kur i punësohet motra, e ai tjetri Besnik Bislimi nuk e ka pa qe 50 vjet nipin 46 vjeçar. Qysh kanë ftyrë këta njerëz me dalë para aktivistëve të ndershëm të Vetëvendosjes që për kaq vite janë lënduar në protestat e tyre mashtruese e sot nuk i bëjnë hesap për asgjë dhe as telefonin nuk ua hapin”, ka shkruar Gjoshi.

Albanian Post gjatë ditës ka raportuar për punësimin e motrës së ministrit Liburn Aliut.

Aliu është shprehur se s’ka ide për punësimin e motrës.

“Nuk e di, unë nuk e di, idenë nuk e kam a është punësuar motra ime”, ka thënë Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kur është pyetur nga Albanian Post, për punësimin e motrës së tij nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore