Lajme

Opozita nuk merr pjesë në votimin për projektligjin e Policisë Ushtarake – s’voton deri në themelimin e Komisionit Hetimor


Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullorja e Kuvendit dhe Mbikëqyrja e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Pozita dhe opozita kanë vazhduar debatin për çështjen e Komisionit Hetimor edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të mërkurën e 20 prillit.

Për shqyrtimin e Projektligjit për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputetët e opozitës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në votim.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaroi se nuk do të marrin pjesë në votim derisa të themelohet Komisioni Hetimor.

“Për LDK është e papranueshme sjella e pozitës ndaj opozitës. Konstruktiviteti ynë po përkthehet në arrogancë ndaj nesh. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim dhe çështje që trajtohet në komision përderisa nuk themelohet Komisioni Hetimor. Ne mund të marrim pjesë në diskutime por jo në votim. Si qëllim për të zbardhur gjithçka që ka ndodhur si proces”, tha Selmanaj.

Kuvendi i Kosovës.

Ngjashëm është shprehur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.

“As PDK nuk do të jetë pjesë e votimeve të asnjë projektligji derisa nuk themelohet Komisioni Hetimor që do të bënte dritë mbi keqpërdorimet në blerjen e energjisë. Nuk do të jemi pjesë e asnjë votimi. Kjo sjellje e mazhorancës nuk është e drejtë ndaj nesh si opozitë. Për hir të korrektësisë bllokimi ka filluar në kuvend”.

“Opozita ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe si deputete nuk njoh opozitë që ka funksionu si kjo e sotmja. Nuk jemi ne që kemi bllokuar punën e institucionit. Mazhoranca duhet ta largojë këtë arrogancë. T’i hapni mundësi këtij komisioni të kryejë punën e vet”, u shpreh Deliu Kodra.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë asnjë ligj, derisa pushteti të mos e votojë themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë, që është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

I gjithë ky kundërshtim nga pushteti për formimin e një komisioni të tilla, sipas opozitës po vjen për shkak se ka krime të cilat janë duke u fshehur nga partia në pushtet.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje argumentuan se opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.

Më 29 dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Në fillim të muajit prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore