Lajme

Opozita në Serbi kundërshton Marrëveshjen për Energjinë: Elektroserveri bëhet pjesë de facto e sistemit energjetik të Kosovës


Ilustrim

Boshko Obradoviç, kryetari i lëvizjes ultra-nacionaliste “Dveri” në Serbi, ka konsideruar se nënshkrimi i kontratës komerciale për energjinë elektrike midis kompanisë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O”, do të thotë se Elektroseveri të bëhet pjesë de facto e sistemit energjetik të Kosovës.

Obradoviç, nëpërmjet një deklarate për shtyp të hënën, ka konsideruar se nënshkrimi i kontratës midis KEDS-it dhe Elektroserverit në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), do të thotë se serbët në Kosovë tani do t’ia paguajnë energjinë elektrike një kompanie kosovare.

“E gjithë kjo është bërë në errësirë ​​të plotë mediatike, jashtë syve të publikut, gjatë zgjedhjeve dhe nën Qeverinë teknike të Serbisë, e cila nuk duhet të marrë asnjë vendim strategjik në mandatin teknik”, ka konsideruar Obradoviç të hënën, derisa ka shtuar se është “skandaloze” që kjo temë asnjëherë nuk ka qenë në rendin e ditës të seancës parlamentare.

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pa dhënë shumë detaje, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën gjatë ditës, ka njoftuar se KEDS-i dhe Elektroserveri kanë nënshkruar një kontrantë komerciale për energjinë pas një kohe shumë të gjatë, saktësisht pas marrëveshjes së vitit 2013.

“E mirëpres nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën sociale “X” të shtunën , por nuk ka treguar si, ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije (EPS)”, ndërsa licenën për operim në territorin e Kosovës në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative e ka marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fund të muajit qershor të 2022, pas dakordimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët në pjesën veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa tani e tutje kjo çështje pritet të zgjidhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore