Lajme

Opozita në Prishtinë kërkon shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal


Kryesuesi i Kuvendit Komunal Pëllumb Bajqinovci.

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, së bashku me këshilltarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një këshilltar të Aleancës Kosova e Re (AKR), janë duke kërkuar shkarkimin e kryesesuesit të Kuvendit Komunal.

Kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme ku edhe pritet shkarkimi i kryesuesit Pëllum Bajqinovci e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përmes një komunikate për media.

“Këshilltarët Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë inicuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës me të vetmen pikë të rendit të ditës: Shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, në muajin korrik të vitit të kaluar me 26 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Pëllumb Bajçinovci ishte zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kjo pasi që asamblistët e Kuvendit Komunal në Prishtinë patën shkarkuar Fehmi Kupinën nga pozita e kryesuesit. Kjo seancë ishte thirrur nga këshilltarët komunalë të Prishtinës.

Së fundmi në Komunën e Prishtinës, është prishur koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo për shkak të publikimit në media për këmbimin e pronave publike, ku i përfshirë dyshohet të jetë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore