Kosova

Opozita në “kafazin” politik të Albin Kurtit


Ilustrim

Fillimisht u ankuan për mos-transparencë nga ana e Qeverisë së Kosovës për çështjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa kur e pranuan atë nga kanalet zyrtare, konkretisht nga hartuesi, Bashkimi Evropian, po ngurrojnë në dhënien e një vlerësimi politik më të detajuar për këtë çështje, e kjo sjellje nga analistët politikë përveç se po konsiderohet si një non-sens logjik, po vlerësohet si pajtim me “kafazin” politik ku i ka vendosur Albin Kurti – pa kauzë politike të mirëfilltë opozitare.

Për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, opozita me këtë qasje, aktualisht po imiton Qeverinë e Kosovës me mos-transparencë në raport me çështjen e draft-statutit të Asociacionit.

“Përpos reagimeve kohëpaskohshme të individëve të veçantë, ende mungojnë qëndrimet zyrtare partiake për këtë temë. Mbase, kjo situatë është pasojë edhe gjendjes pa shtegdalje në të cilën ndodhen”, konstaton Kasolli për Albanian Post.

Kasolli thekson se mos-deklarimi i partive opozitare në raport me Asociacionin, ndonëse ka më shumë se një javë që e kanë pranuar draft-statutin, dëshmon se opozita është në një qorrsokak.

“Në njërën anë ato kalkulojnë se mund të përfitojnë politikisht brenda duke e kritikuar në mënyrë sporadike Kryeministrin Kurti për keq drejtimin e procesit dialogues, por në anën tjetër e dinë se nuk mund t’i refuzojnë zyrtarisht rezultat e marrëveshjeve me Serbinë për të cilat është pajtuar Albin Kurti për shkak të faktorit ndërkombëtar, edhe pse e janë të vetëdijshme që nuk janë në favor të interesit të Kosovës”, argumenton më tej ai

Kësisoj me këtë qëndrim, konsideron Kasolli, opozita po pajtohet se pasojat e veprimeve të këtij pushteti nuk kanë alternativë.

“Prandaj, me këtë qasje duale ato vetëm sa po dëshmojnë se janë brenda ingranazhit politik të kryeministrit Albin Kurti. Dhe po i shërbejnë skenarit të tij për pushtet dhe arsyetimeve për themelimin e Asociacionit kundër Zajedinës, që ishte trashëgimi e partive opozitare, por që kjo qeveri ia arriti ta ndal”.

Ngurrimi i opozitës për të dhënë vlerësime politike, beson Kasolli, qëndron te fakti se opozitës ju mungon edhe opsioni alternativ në këtë drejtim.

“Të gjitha ato në mënyrë të tërthortë dhe të hapur kanë pohuar, se duke filluar që nga plani franko-gjerman për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e deri të Marrëveshja Bazë e Brukselit, plani i zbatimit të dakorduar në Ohër dhe pranimi i Asociacionit janë obligim shtetëror ndërkombëtar i Kosovës. Pra në këtë mënyrë ato janë pajtuar me ‘kafazin’ politik ku i ka vendosur Albin Kurti, duke i lënë pa kauzë politike”.

Pjesë e kësaj loje, shpjegon më tej Kasolli, është edhe mos ndarja e draft-statutit nga ekzekutivi me opozitën, duke ia lënë këtë përgjegjësi BE-së.

“Në këtë mënyrë Albin Kurti po zhvishet nga përgjegjësia politike për përmbajtjen e këtij draft-statuti”.

Ndryshe nga Kasolli, ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, fajëson Qeverinë e Kosovës për mos-transparencë në raport me Asociacionin, gjë që, sipas tij, ka shkaktuar një efekt domino ku opozita nuk ka informacione të detajuara për draft-statutin, ndonëse i njëjti u pranua nga ana e tyre më 30 nëntor.

“Pra, për mua kjo është një përvojë shumë e dëmshme dhe e gabueshme sepse është dashur që të njoftohen nga Qeveria të paktën kryetarët e partive dhe të ketë një komunikim më normal ndërmjet tyre. Për këtë  arsye opozita nuk ka një qëndrim të qartë edhe pse tërthorazi janë deklaruar se draft-statuti nuk është i favorshëm shumë për Kosovën”, ka potencuar Arifi për Albanian Post.

Mungesa totale e komunikimit qeveri – opozitë , beson Arifi, ka detyruar këta të fundit të jetë më shumë në defensivë sesa në ofensivë, ndonëse kjo është çështje nacionale.

Ishte kundërshtuesi më i madh i Asociacionit, por vetëm 3 vjet në postin e kryeministrit mjaftuan që t’i dalë në opozitë vetës së tij të dikurshëm duke u bërë kryeministri i parë i cili pranon një draft-statut për këtë mekanizëm.

Është fjala për Albin Kurtin, i cili ndonëse e di mirë që as në vitin 2013 e as në vitin 2015 nuk ka pasur statut për Asociacionin, në tentim e sipër për të justifikuar këtë mekanizëm që tashmë e ka pranuar, ka krahasuar draft-statutin e përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, me ata “paraprak”, ani pse të njëjtit nuk ekzistojnë.

Në një intervistë për Televizionib A i pari i Qeverisë së Kosovës i ka dalë në mbrojtje të draft-statutit “modern evropian” për Asociacionin.

Draf-statuti i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, ka thënë Kurti, është pakrahasimisht më i avancuar se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ai i vitit 2015, nga të cilat derivonte ky mekanizëm.

Diferenca, vlerësoi Kurti, në mes të këtij draft-statuti dhe Asociacionit i cili parashihej në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është te çështja e përmbajtjes.

“Kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh ky gjë, pra së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për Televizionin A.

Pavarësisht kësaj, Kurti, potencoi se i ka dërguar vërejtjet, komentet dhe kritikat e tij për këtë draft, meqenëse, sipas tij, ky nuk është një draft i cili do të shkruhej prej tij saktësisht asisoj.

“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, është i pakrahasueshëm me të tjerët”.

Draft-Statuti im është i avancuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore