Lajme

Opozita maqedonase hedh poshtë propozimin francez


Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski e konsideroi si të papranueshëm propozimin francez.

Kreu i VMRO-DPMNE-së e bëri të ditur këtë gjatë një konference për shtyp para mediave.

Sipas Mickoski-t, qeveria po gënjen dhe po manipulon qytetarët e saj.

“Ajo që po dëgjoni nga Kovaçevski (Dimitar Kovaçevski – AP) nuk është luftë për gjeneratën e ardhshme, por është turp dhe shkatërrim për gjeneratën e ardhshme”, theksoi kryeopozitari maqedonas.

Ai shtoi se propozimi që është në tavolinë është në fakt i njëjti që u refuzua dikur dhe qeveria maqedonase po përpiqet ta mbulojë këtë fakt.

“Me keqardhje më duhet të konstatoj se ky propozim përmban të gjitha kërkesat e palës bullgare si në atë të historisë ashtu edhe në atë të gjuhës dhe të identitetit. Pranimi i një propozimi të tillë nënkupton të drejtën e Bullgarisë për ndryshimin e teksteve dhe shkrimin e tyre sipas diktatit bullgar”, ravijëzoi në përmbyllje Mickoski.

Opozita, sakaq, ka paralajmëruar gjatë së shtunës një protestë para Kryeministrisë në orën 19:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore