Lajme

Opozita kujton masakrën e Reçakut: Pa drejtësi Kosova s’do të hesht për krimet që janë kryer


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Partitë opozitare në Kosovë, të hënën e 15 janarit kanë përkujtuar 25 vjetorin e masakrës së Reçakut.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD), Lumir Abdixhiku, e ka quajtur si “krimin më të rëndë” në dy dekadat.

“Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë”.

“Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tutje ka thënë se nevoja për ta mbajtur në rikujtesë këtë sakrificë është e domosdoshme.

“Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve”.

“Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi ka bërë homazhe tek tek kompleksi përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, sipas tij mbetet dhembja më e madhe.

“Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë”.

“Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se shteti i Kosovës s’do të hesht për krimet që janë kryer në të kaluarën nga Serbia, derisa të ketë drejtësi.

“Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë”.

Masakrën e Reçakut, e ka kujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka konsideruar si “një akt ç’njerëzor”, që tronditi të gjithë botën.

“Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetrore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”.

“Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak”, ka shkruar ai.

Teksa, ka vlerësuar lart kontributin e ambasadorit amerikan, William Walker.

“Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falënderojmë Amerikën e cila ishte krah nesh në të gjitha periudhat historike”.

Kreu i AAK-së, pohoi se në ditë si kjo, është edhe më e nevojshme që të ketë stabilitetet për paqe në rajon dhe në botë.

“Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”.

Edhe krerët e shtetit mëngjesin e së hënës kanë bërë homazhe në kompleksin përkujtimor të Reçakut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore