Lajme

Opozita kërkon themelimin e Komisionit Hetimor për librat, Nagavci e mbështetë idenë e tyre


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Opozita e Kuvendit të Kosovës, është duke kërkuar nga pushteti – Lëvizja Vetëvendosje, themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Para deputetëve kërkesën e ka paraqitur fillimisht deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floreta Zejnullahu,.

E që më pas mori përgjigje pozitive nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, duke thënë se e mirëpret themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për furnizimin me librat shkollorë.

“Ndonëse, kërkesa e PDK-së për themelimin e këtij Komisionit Hetimor Parlamentar është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe në pasaktësi. Unë personalisht dhe gjithë kabineti në ministri mezi presim themelimin e këtij Komisionit dhe të flasim për këtë temë”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja tutje akuzoi PDK-në për keqpërdorime në të kaluarën.

“Sepse po duhet hetuar të gjitha akuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite në kohën kur PDK-ja udhëhiqte me MAShTI-n, po jo vetëm PDK-ja”.

“Përveç gabimeve në legjislacion dhe përmbajtje ka pasur dhe është raportuar në vazhdimësi për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të buxhetit ndër vite të procesit të furnizimit të shkollave me libra.  Kemi raportime se në hapësira shkollore ka libra që janë të hedhura gjithandej. Po ashtu kemi tri raportimeve të Zyrës së Auditorit për keqpërdorim të parave”, ka thënë Nagavci.

Këtyre akuzave më pas iu përgjigj deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili mohoi akuzat e ministres së Arsimit, për keqpërdorim të fondeve për furnizim të librave shkollorë.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Sipas tij, Nagavci nuk ka njohurit e duhura të procesit të furnizimit me libra shkollorë.

“Të jesh ministre e Arsimit dhe të përpiqesh që të manipulosh me disa tituj të gazetave që i kanë porositur vet dhe mos ta njohësh procesin e blerjes së librave shkollore është diçka e papranueshme, a e dimë që tekstet porositën nga shkollat përmes DKA-ve? E di këtë ministrja”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ia rikujtoi ministres që për dy vite ka subvencionuar nxënësit në mënyrën që kishin bërë edhe qeverisjet e kaluara.

“Ministre mund ta thjeshtojmë debatin. E para është që po e përmendni që për shkak të metodave abuzive të teksteve shkollore, ju e keni ndryshuar mënyrën, por duhet të ua kujtojmë që kanë qenë edhe dy vite të tjera që keni përdorur saktësisht të njëjtën metodë për subvencionim të librave ashtu siç e kanë bërë qeveritë e kaluara”, tha Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ajo e sfidoi Nagavcin që të shkojnë në një shkollë dhe të shohin nëse të gjithë nxënësit i kanë të gjitha librat.

Duke e pyetur se “sa ka kushtuar subvencionimi për tekste shkollore për vitin 2023/2024?”.

Pas Bajramit, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka pohuar se premtimet në arsim kanë rezultuar vetëm me largimin e të rinjëve.

“Për dy muaj mungesa e teksteve vetëm se e ka rënduar procesin e arsimit. Subvencionimi i teksteve ishte një humbje në kohë, ishte demotivim për nxënësit dhe mësimdhënësit, dëmi është bërë dhe është mjaft i madh”.

Ministria e Arsimit në vitin 2024 dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë kishte uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

“Pa libra, pa të holla” – rruga e re e Qeverisë për të nisur procesin mësimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore