Koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të pjesshme në Himarë, zhvilluar më 4 gusht, ku fitues rezultoi kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo.
Koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili drejtohet nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, e ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ankimim lidhur me çështjen.
Ata kundërshtojnë në këtë kërkesë vendimin e miratimit të tabelës së rezultateve për zgjedhjet e Himarës, kërkojnë shpalljen e pavlefshme të të zgjedhjeve të zhvilluara në të gjitha qendrat e votimit dhe kërkojnë po ashtu rregullimin e pasojave, duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në gjitha zonat zgjedhore të Himarës.
Pas garës për bashkinë bregdetare, kandidati i opozitës, Petro Gjikuria, ka reaguar pas humbjes së shpallur këtë mëngjes të 5 korrikut.
Gjikuria nëpërmjet një postimi në median sociale shkruan se “patëm një betejë të madhe”.
“Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himarjotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë”.
Ai mbetet i bindur se në këto zgjedhje “pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre”.
Për të rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me “interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin”.
“Qëllimi ishte pasja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij”.
Në fund Gjikuria ka falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan në këtë fushatë elektorale.
Ai premton se beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.
Rezultati
Vangjel Tavo u shpall fituesi i zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 36 kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 5022 vota (58.62%) kundrejt kandidatit të opozitës Petraq Gjikuria i cili ka marrë 3545 vota (41.38%).
Procesi i votimit ishte i qetë, por një nga problemet që u shfaq ishte se rreth 6 mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara.
Ndryshe nga zgjedhjet e fundit – kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare – ditën e djeshme zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.
Qytetarët kishin të drejtë të votonin në 36 qendra votimi për kandidatët e tyre, të cilët nuk kanë jetuar në Himarë.
Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Tavo është një politikan që ka përfaqësuar në Parlament zonë e Dropullit.
Reagimi i Tavos
Sot fitoi Himara.
Ky ka qenë reagimi i kryetarit të ri të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, përmes një postimi në median sociale Facebook.
“Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim. Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat”, shkruan ai.
Më tej thekson se “unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë”.
Një ftesë ai ka pasur dhe për kundërshtarin e tij, “Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë”.
“Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki. Nëse Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve”.
Teksa po numëroheshin votat e fundit, nga kampi socialisti nisi festa e fitores.
Brohoritje, duartrokitje dhe përqafime në sallën ku ndodheshin përfaqësuesit politikë, mbështetësit dhe vetë kandidati i PS, Vangjel Tavo, i cili rezultoi fitues ndaj kandidatit rival të opozitës, biznesmenit Petro Gjikuria, me mbi 55% të votave.
I pranishëm edhe përfaqësuesi politik socialist Blendi Klosi, që bashkë me të tjerët rrethuan Tavon dhe e uruan për fitoren e zgjedhjeve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com