Lajme

Opozita kërkon qasje serioze nga Qeveria për grevën e punëtorëve të Trepçës: Është koha e fundit për përmirësim


Kuvendi i Kosovës.

Ish drejtori i Trepçës, njëherësh edhe deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të enjten ka folur për situatën e përkeqësuar në minierën e Trepçës.

Sipas tij, që nga fillimi i kësaj qeverisje vazhdimisht është bërë vetëm mashtrim me punëtorët e kësaj miniere.

“Sot mjetet e marrë nga Qeveria në emër të subvencioneve s’i mbulojnë as pagat e minatorëve, sot Qeveria s’ka as plan as strategji për zhvillimin e Trepçës edhe pse tri vjet punë i ka, por asnjë lëvizje se kemi”.

“Mashtrimi me këtë industri vazhdon akoma. Në çdo përvjetor të javës së minatorëve, kabineti qeveritar shkojnë dhe mbajnë fjalime popullsitë u premtojnë një herë në vit dhe atje vazhdon vallja me tupanë siç e keni zakon dhe këtu përfundon investimi dhe mashtrimi me ketë sektor”, tha Shala para deputetëve.

Kërkesë e Shalës, ka qenë që urgjentisht Qeveria të veproj për këtë situatë .

“Të bashkohemi rreth Trepçës, ta nxjerrim nga kjo situatë të bashkuar sepse edhe ne jemi pjesë e Kushtetutës. Nëse dëshirojmë zhvillim, industri, nëse duam eksportet, nëse duam vende të reja të punës, sot është koha e fundit që të fillojmë dhe ta ndryshojmë Trepçën”.

Ish drejtori i Trepçës, njëherësh edhe deputeti Ferat Shala.

“Qeveria duhet urgjentisht të ndryshoj politikën e saj ndaj këtij sektori, sepse s’mund të zhvillohet me politika majtiste, as Trepça e as një sektorë tjetër”.

“Kështu, siç jeni s’do të ketë zhvillim vendi në asnjë pjesë”.

Ai ka thënë se zgjidhje e duhur në këtë situatë është qe deputetët të bashkohen dhe të bëjnë një zgjidhje për punëtorët e Trepçës.

“Ju ftoj, që menjëherë sot të formohet një grup i deputeteve i të gjitha subjekteve politike, t’i vizitojmë e të bisedojmë me ta sy me sy nëse Qeveria s’ka guxim t’i nxjerrim ne nga greva. Në të kundërtën ne do të ballafaqohemi me kontinentet me këto sfida”.

Edhe shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se veprimet për t’u ndalur greva e Trepçës, duhet të merren urgjentisht.

E që aktualisht ai pohon se s’ka asnjë qasje serioze nga Qeveria.

“Deri sa ne po flasim këtu, është duke vazhduar një grevë e cila nuk ka asnjë trajtim serioz nga ministria përkatëse, as nga Qeveria e as nga Kuvendi”.

“Jemi duke folur për një ndërmarrje e cila po ashtu gjendet në Veriun e Kosovës, dhe flasim për një ndërmarrje që është ndoshta burimi i vetëm publik për punësim dhe për mbijetesë të shqiptarëve në atë pjesë”, tha Tahiri.

Shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

“Ne si Kuvend, duhet të kërkojmë nga ky komision të veproj shpejt në raport me grevën e Trepçës, në mënyrë që Qeveria të veproj”.

Ai ka theksuar se kauza e Qeverisë me të cilën ka ardhur, vazhdimisht është shkelur.

“Është e padrejtë që të vish në pushtet me një kauzë dhe të gjithë kauzën ta shkelësh. Të gjitha emërimet që kanë ndodhur deri më tash me emërimin e bordeve dhe me emërimin udhëheqin agjencione të pavarura janë të ndërlidhura ngushtë me familjarizim, me nepotizëm. Me lidhje të ngushta politike dhe me shoqëri”.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, u shpreh se nuk mund ta tejkalojmë kërkesën për shkarkim të një bordi.

“Nuk mund ta tejkalojmë kërkesën për shkarkim të një bordi pa ditur arsyet e sakta, pa qenë të sinqertë qeveria dhe gjithë të përfshirët në këtë rast”, ka thënë Zemaj.

Për shkak të grevës që filloi të martën në minierën e Trepçës, një punëtori i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore të mërkurën, të cilin më pas e kanë dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Minatorët e Stantërgut që nga e premtja kanë bojkotuar punën meqë nuk u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” u emërua nga Qeveria Kurti në shkurt të 2022.

Ai përbëhet nga Bahri Hyseni – kryesues, Bujar Bilalli, Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci dhe Xhevdet Tahiri, anëtarë të bordit.

Me 8 gusht, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe mbi 1 milion euro për Trepçën.

Punëtoret e Trepçës, së fundmi kishin protestuar për dy ditë radhazi për mos marrjen e pagave të muajit korrik.

Punëtoret e Trepçës.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore