Shqipëria

Opozita fajëson Mbrojtjen pas arrestimit të majorit shqiptar në Holandë


Punimet e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut janë shoqëruar nga debate të shumta lidhur me arrestimin e majorit shqiptar në Holandë.

Ky i fundit, u ndaluar nga autoritetet holandeze nën akuzën e “rritjes së kanabisit”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka parashtruar disa pyetje për të cilat ka bërë përgjegjëse Ministrinë e Mbrojtjes.

“A ka pasur Ministria e Mbrojtjes informacion për aktivitetin e këtij ushtaraku të lartë? Çfarë veprimesh ka bërë Shërbimi Informativ Ushtarak? A keni informacione të zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë për përfshirje në veprimtari kriminale? Si ndikon kjo në marrëdhëniet tona me NATO-n? A është cënuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar?”.

Përfaqësuesja e institucionit të Mbrojtjes theksoi se ngjarja në fjalë është përgjegjësi perosnale dhe po ndërmerren hapa ligjore,

Opozitari solli në vëmendje edhe rastin kur një tjetër ushtarak shqiptar u arrestua ndërsa transportonte drogë.

“Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri”, shtoi Bardhi.

Sipas tij, ministria duhet të kryejë hetime pro-aktive për ushtarakët që dërgon në bazat e NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore