
Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” nga Mitrovica e Veriut, përkatësisht kryetari i saj Aleksandër Arsenijeviç, përmes një video-mesazhi të postuar në Facebook, ka kërkuar që të mbahet referendum për ta shpallur Veriun e Kosovës “protektorat ndërkombëtar nën kujdesin e misioneve të përhershme të pranishme në Kosovë”.
Nga kjo iniciativë kanë propozuar që mandati i administratës ndërkombëtare të jetë për një periudhë dyvjeçare, “me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet, nëse është e nevojshme”.
Për ta arsyetuar këtë kërkesë, ata kanë pretenduar se janë moskoordinimet e veprimeve të autoriteteteve kosovare me akterët ndërkombëtarë në Veriun e Kosovës, teksa kanë shtuar se kërkesa e tyre “nuk është një akt secesionist”.

“Qeveria në Prishtinë ka kohë që po merr vendime të njëanshme që ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve në veri të Kosovës. Politika e papërgjegjshme e Albin Kurti bëri që serbët e veriut të Kosovës të largohen nga institucionet e Kosovës pas 10 vitesh”, thanë nga kjo iniciativë.
“Veprimet e pakoordinuara të autoriteteve të Prishtinës me aktorët ndërkombëtarë shkaktuan një përshkallëzim në terren në maj të këtij viti. Fatmirësisht me atë rast u shmang një konflikt në përmasa më të mëdha”.
Prandaj, sipas tyre, “duke pasur parasysh situatën e vështirë në të cilën ndodhet Evropa për shkak të luftës në Ukrainë, një skenar i tillë nuk do të ishte në interesin e askujt”.
Ndërkaq, “Mbijetesa Serbe” ka pretenduar se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të de-eskalimit të situatës në Veri.
“Duke njohur shqetësimin e të gjitha komuniteteve për mbijetesën e tyre në këtë zonë (Veri) dhe dëshirën për paqe dhe bashkëjetesë, duke iu referuar parimeve të demokracisë pjesëmarrëse dhe të drejtës për vetëvendosje…”.
“…kërkojmë mbajtjen e një referendumi në të cilin qytetarët do të votojnë në mënyrë demokratike për vendosjen e një administrate ndërkombëtare – një protektorat ndërkombëtar nën kujdesin e misionit të përhershëm prezent në Kosovë (OKB, KFOR, EULEX)”.
Në këtë protektorat të pretenduar nga kjo iniciativë janë komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
“Ftojmë të gjithë aktorët politikë, socialë dhe joqeveritare, si dhe individë, të na bashkohen në mbështetje të kësaj ideje dhe të japin kontributin e tyre. Kjo është një çështje ndërpartiake për ruajtjen e paqes, madje edhe të jetës normale në veri të Kosovës”, pohuan.
Sipas tyre, “kriza tashmë e përhershme” në Veri të Kosovës “shkaktoi emigrimin e përshpejtuar të popullsisë” nga kjo zonë.
“Shqetësimi për situatën e përgjithshme është shprehur qartë nga aktorë të shumtë ndërkombëtarë. Madje, pas negociatave të dështuara gjatë raundit të fundit të dialogut, është e qartë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmend të ndryshojë qasje”, pretenduan nga “Mbijetesa Serbe”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Policia e Kosovës, për pak ditë, e shpëtoi shtetin dhe Albinin
-
Rama thotë se tashmë priten veç frytet nga Procesi i Berlinit
-
Mbi 13 mijë armenë janë larguar tashmë nga Nagorno-Karabakh
-
“Duhet hetim i plotë, si u futën 30 terroristë kaq të armatosur në Kosovë”, Buhler dhe Shea komentojnë sulmin në Veri