Opinione / Politikë

Zgjedhjet në Brazil: kjo është arsyeja pse përballja mes Bolsonaros dhe Lulës na prek të gjithëve


Francesco Battistini dhe Milena Gabanelli Gazetarë të "Corriere della Sera"

E quajnë vendin e gjelbër-artë, nga ngjyrat e flamurit. Dhe në fakt, në pak vende të tjera në botë, mbrojtja e gjelbërimit është po aq e mirë sa ari. Sepse 60 për qind e Amazonës ndodhet në Brazil. Pylli më i madh i rreshjeve në Tokë që mban 20 për qind të ujërave të ëmbla dhe 70 për qind të biodiversitetit të gjithë planetit tonë. Ajo ruan 123 miliardë tonë karbon. Dhe nga të gjitha llojet e pemëve që gjenden në natyrë, më shumë se një e pesta rritet këtu.

Ruajtja e Brazilit është një çështje e ekuilibrit të Tokës. Pra, na prek të gjithëve se kush do ta qeverisë këtë mushkëri të gjelbër të pamasë.

Bolsonaro kundër Lulës

Më 2 tetor ka një votim: 156 milionë brazilianë do të zgjedhin presidentin e tyre të 39-të. Që nga viti 1988, kur përfunduan njëzet vjetët e diktaturës ushtarake, është hera e nëntë. Por në një vend që ka përjetuar gjithashtu një histori grusht shtetesh dhe fajësimesh presidenciale, nuk ka pasur kurrë një përplasje kaq të ashpër midis dy kandidatëve kryesorë: presidentit në largim Jair Bolsonaro, i djathtë, të cilin disa sondazhe e japin 38 përqind, kundër ish-Presidenti të krahut të majtë Luiz Inàcio Lula de Silva, thjesht Lula, që e japin te 51 përqind.

Për të fituar duhen 50 për qind plus një e votave, por në garë ka edhe një kandidat të akredituar laburist që e japin rreth 5 për qind dhe një konservator rreth 3 përqind. Votimi është caktuar për 30 tetor.

Dy botëkuptime

Bolsonaro, 67 vjeç, tre martesa dhe pesë fëmijë – njëri prej të cilëve ishte parlamentari më i votuar në historinë braziliane – është një ish kapiten i ushtrisë që admiron kohët e periudhës së juntës së gjeneralëve dhe ka emëruar tetë ministra ushtarakë.

Lula është një ish-sindikalist i cili në qeveri solli gjithashtu disa nostalgjikë të revolucionit rus. Nga të drejtat LGBT deri te përdorimi i armëve, nga ndihma sociale te tortura, të dy kandidatët janë të ndarë për gjithçka.

Lula akuzon Bolsonaron, i cili e deklaroi veten jo-vax dhe mohues, se ka shkaktuar mbi 660 mijë vdekje nga COVID-i me “zgjedhjet e tij gjenocidale”.

Bolsonaro akuzon Lulën, i cili përfundoi në burg për një histori ryshfeti, për nepotizëm dhe se ka udhëhequr “qeverinë më të korruptuar në historinë braziliane”.

Kështu ka qenë prej vitesh. Por këtë herë ka një çështje më urgjente se të tjerat, mbi të cilën luhet sfida: mbrojtja e mjedisit.

Janë pastruar 3.7 milionë hektarë pyje

Bolsonaro u godit me thikë dhe u rrezikua të vdiste gjatë një mitingu në fushatën zgjedhore 2018. Në katër vitet e presidencës së tij ai luftoi për uljen e taksave, për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, për liberalizimin e shërbimeve sociale.

Shumë pranë superkonservatorëve amerikanë, ai e bëri të qartë se në rast humbjeje është gati të denoncojë vjedhjet në votë me një “marshim në Brasilia” të ngjashëm me sulmin ndaj Kapitolit në Uashington, atë të atyre që kundërshtuan zgjedhjen e Biden.

Në fillim të luftës në Ukrainë ai qëndroi në anën e Putin-it dhe është ende kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe është mik i hungarezit Orban.

Në Itali, më 1 nëntor 2021, ai mori nënshtetësinë e nderit nga junta e Lega Nord të Anguillara Veneta për shkak të prejardhjes së tij të largët paduane (nga Padova).

I kanë vënë nofkën “Trumpi i tropikëve” dhe pozicionet e tij shpjegojnë arsyen: në vetëm katër vjet si president, Bolsonaro fshiu 3 mijë e 725 milionë hektarë të Amazonës, 0.7 përqind të gjithë sipërfaqes.

Vitin e kaluar, më i keqi ndër vite, u zhduk një pjesë e pyllit 13 herë më e madhe se Nju Jorku. Dhe fotot satelitore nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Hapësinore tregojnë se në dekadën e fundit shpyllëzimi është rritur me 75 për qind, ndërsa zjarret, si për zjarrvënie, ashtu edhe të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, në këta nëntë muaj të 2022 kanë qenë më shumë se gjatë gjithë vitit 2021.

“Është gabim mos shfarosja e indios-ve”

Bolsonaro ka marrë qëndrim gjithmonë kundër 200 grupeve indigjene të pyllit. Madje ai dikur pati thënë se ishte një gabim i rëndë që nuk i shfarosën ata si indianët e Amerikës dhe e ka mbajtur premtimin e tij “për të mos u dhënë atyre as një centimetër tokë”.

Tani në Amazonë  lulëzojnë trafikantët e drogës, minatorët e paligjshëm, bujqësia e egër, gjuetia e pakontrolluar.

OJQ-ja “Earthsight” denoncoi se si dy kompanitë më të mëdha braziliane që eksportojnë sojë në Bashkimin Evropian, “Bunge” dhe “Cargill”, bëjnë biznes në zona të pafundme të pastruara nga pyjet që deri 50 vjet më parë i përkisnin indigjenëve Guarani Kaiowa-s.

Në vitin 2010, gjyqtarët brazilianë vendosën të drejtën e Kaiowa-ve për t’u kthyer në tokat e tyre, por qeveria nuk e zbatoi kurrë vendimin.

Bolsonaro është kundër marrëveshjeve të Parisit për uljen e ngrohjes globale, ka eliminuar Ministrinë e Mjedisit, do të donte të rishikonte nenin 231 të Kushtetutës që njeh të drejtat e indios-ve, nuk do kufizime për ata që ndërtojnë hidrocentrale në lumenjtë e Amazonës ose shfrytëzojnë minierat në zonat e mbrojtura, ëndërron një autostradë që kalon përmes Amazonës.

Fushata e tij elektorale financohet nga fazendeiros, pronarët e tokave që në Brazil punësojnë 20 milionë familje, që përfaqësojnë 24 për qind të PBB-së dhe janë një lob i fuqishëm që kontrollon pothuajse 40 për qind të Parlamentit.

I preferuari mbetet Lula

Ai është dhjetë vjet më i madh se kundërshtari i tij, kur ka qenë fëmijë ishte bojaxhi këpucësh. Më vonë, kur ishte vetëm një punëtor i ri humbi gishtin e vogël të dorës në një presë dhe historia e tij është e gjitha në sindikata.

Dy gra, katër fëmijë, u martua me sociologen që e asistoi në burg. Kur ishte president, midis 2003 dhe 2011, ai u akuzua se kishte futur trockistët e vjetër në Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore, duke shkaktuar rrënimin e Realit (monedhës braziliane) dhe të bursës.

Tonet e tij shpesh cilësohen si ekstremiste, si kur kundërshtoi ekstradimin në Itali të terroristit të kuq Cesare Battisti. Megjithatë, “The Economist” e përshkroi atë si një “ideolog brenda për brenda vendit dhe një negociator pragmatik jashtë vendit”.

Arriti të kishte marrëdhënie të mira si me populistin venezuelas Hugo Chavez ashtu edhe me presidentin amerikan George W. Bush.

Ka nisur fushata pa shumë sukses për të luftuar urinë, në një vend ku 10 milionë njerëz jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë dhe për arsimimin e më të varfërve (një në dhjetë brazilian është analfabet).

Në vitet e tij në pushtet, ai bëri që financat të fluturojnë dhe e futi Brazilin në grupin e vendeve me GDP-në në rritje më të shpejtë, të ashtuquajturat BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut). GDP për frymë e brazilianëve u rrit me 8 mijë e 447 dollarë.

I dënuar dhe më pas i pafajshëm

Lula u burgos dhe u dënua dy herë për ryshfet nga kompania e naftës Petrobras. Ai gjithmonë e ka shpallur veten të pafajshëm dhe ka akuzuar gjyqtarin e tij të parë, të emëruar më vonë nga Bolsonaro si Ministër i Drejtësisë, për komplot.

“Unë u arrestova që ti të zgjidhesh president në vendin tim!” akuzoi kundërshtarin ballë për ballë herën e fundit në TV.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Lula u shpall i pafajshëm dhe pas 580 ditësh burg mundi të riniste fushatën zgjedhore.

Kundërshtarët e tij e akuzojnë atë për përdorimin e politikave sociale për të kontrolluar votat e grupeve më të dobëta. Lula ka kombinuar gjithmonë politikat e mirëqenies me çështjet mjedisore. Në tetë vitet e tij të presidencës, shpyllëzimi në Amazon u zvogëlua me 80 për qind dhe fazendeiros e urrejnë atë për politikat e tij në mbrojtje të fermerëve dhe indios-ve.

Gjatë fushatës zgjedhore, Lula tha se një efekt anësor i luftës në Ukrainë është harrimi i luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe favorizimi i politikave të politikanëve si Bolsonaro, i cili publikisht ka nxitur fazendeiros t’u venë zjarrin pyjeve të Amazonës dhe biznesmenët të shkelin rregullat mbi emetimet.

Në shtator, ndotja në Brazil ishte më e larta në njëzet vitet e fundit. Në Konferencën e Mjedisit të OKB-së në Rio de Zhaneiro në vitin 1992 u zhvillua për herë të parë koncepti i zhvillimit që mund të mbështetej. Tridhjetë vjet më vonë, në nëntor, konferenca e klimës COP27 do të mbahet në Kajro. Bolsonaro ka thënë tashmë se nëse ai rizgjidhet, nuk do të shkojë fare atje.


Lajmet kryesore