Zbuluam diçka nga fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes kurrizthyer

Partia Vetëvendosje tashmë është në çakordim të plotë. Pas skandaleve të njëpasnjëshme në rrafsh të brendshëm, nga allishverishet e Albin Kurtit me Martin Berishajn me GEN-in që dikur e lidhin me tras...
Bordi Editorial Albanian Post
Loading Icons...
test12

Zbuluam diçka nga fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes kurrizthyer

Bordi Editorial Albanian Post
Loading Icons...

Partia Vetëvendosje tashmë është në çakordim të plotë.

Pas skandaleve të njëpasnjëshme në rrafsh të brendshëm, nga allishverishet e Albin Kurtit me Martin Berishajn me GEN-in që dikur e lidhin me trashëgiminë e Rankoviçit, nga shpërdorimi i thellë nëpërmjet Ridvan Muharremit me rezervat shtetërore, nga zbulimi i përgjimeve të shefes se grupit parlamentar Mimoza Kusari, ku shihet se ata jo vetëm bashkërendojnë çdo hap me Listën Serbe dhe Serbinë, por edhe spiunojnë kundër luftëtarëve të UÇK-së te Simiç, nga arrestimi i Nagip Krasniqit e deri te bastisja në Ministrinë e Rozeta Hajdarit për korrupsion e deri kapja e Besnik Mujecit me sasi marramendëse droge, tashme janë bërë të qarta dy gjera: Vetëvendosje jo vetëm qe nuk ka lidhje me qeverisjen, por edhe është e korruptuar deri në palcë. Fundja, sot edhe vetë mbrojtësit më të zellshëm të Vetëvendosje kanë rënë në nivel vetëm për të vetëarsyetuar se ata nuk janë të përfshirë ne hajdutëri krahasuar me qeverisjet pararendëse.

Ne rrafsh te jashtëm, ndërkaq, brenda një afati rekord, Albin Kurti arriti të bejë atë qe nuk e ka arritur Serbia me një lufte speciale multimilionëshe kundër Kosovës: futjen e Kosovës nën sanksione ndërkombëtare dhe krisjen e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në.

Për më shumë, sjellja e tij e pamatur me ndërhyrjet e keqplanifikuara në Veri, e krijoi presionin ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje pa njohje të ndërsjellët e me autonomi territoriale në qendër.

Kësisoj, jo vetëm që nga Albin Kurti nuk ka mbetur asgjë nga ligjërata e premtimet e tij politike nga e kaluara, duke filluar nga bashkimi kombëtar, aleanca ballkanike kundër Serbisë, makroshengeni kombëtar, vendosja e reciprocitetit ekonomik me Serbinë e çka jo tjetër, por ai e ka degraduar pozitën ndërkombëtare të Kosoves deri në një pikë të cilën se kanë përfytyruar edhe kritiket e tij më të ashpër.

Në fund të fundit, ai u bë autor edhe i një vepre tjetër të pamenduar më herët: ai i përçau shqiptarët e Preshevës duke i trajtuar ata mbi baza të preferencave politike, ai u fut pabesisht në mes të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke bërë fushatë aktive kundër BDI-se dhe duke iu përulur pastaj asaj me vizita te stimuluara kërkim faljesh të ministrave të tij pranë Ali Ahmetit, ai çoi marrëdhëniet me Shqipërinë deri në pikën më të ulët të bashkëpunimit, gjë që duket jo veç në anulimin e mbledhjeve të dy qeverive por edhe në mospritjen e Kryeministrit te Shqipërisë në vizitë zyrtare në Kosovë.

Përveç kësaj, ai nxori marionetën e tij personale, Glauk Konjufcën, për të akuzuar Edi Ramën se ka propozuar autonomi territoriale për serbët në Kosovë. Fushatën e vazhdueshme për tradhti kombëtare kundër Edi Ramës e ka parë pothuajse çdo përdorues i rrjeteve sociale.

Përkundër kësaj, sot u zbulua diçka nga fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes, ndonëse në një koment margjinal, të një figure pa peshë politike, shërbëtorit të verbër të kësaj partie, Egzon Azemit. Bashkangjitur me fotografinë e tre Kryeministrave shqiptar ne rajon, një atdhetarë i shtirur, i cili e vendos partinë mbi shtetin dhe liderin mbi veten, familjen e kombin, si puna e Egzonit, shkroi: ‘lideri i kombit, Kryeministri i Kosovës, me Kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit te Zi. Rrnoftë Shqipëria Natyrale!’.

Natyrisht, duke e ditur atë që idhulli i tij e do paraprakisht, Azemi e miklon kompleksin e çrregullimit të personalitetit narcistiko-mesnianik te Albin Kurtit: ai eshte lideri më i vërtetë, më i drejtë, më i bukur, më i mirë, i gjithë shqiptarisë.

Koncepti i kombeve natyrore jo vetëm që është fashist, por edhe krejtësisht i diskredituar në çfarëdo teorie bashkëkohore të nacionalizmit.

Për më shumë, me një qëndrim të tillë Azemi e fut ne mënyrë krejtësisht arbitrare krejt territorin ekzistues te një shteti anëtar të NATO-s ne suaza të një konstrukti imagjinar te Shqipërisë Natyrale, duke ricikluar narrativen të cilën e kanë shpërdoruar për një grusht vota dhe e kane shitur për disa rroga treshifrore bordesh.

Në duhet të rrojë Shqipëria Natyrale sikur ne mendjet e vobekta te Azemit me shokë, atëherë le të fillojë ai nga kritika e tjetërsimit të partisë së tij që ka braktisur idealet e jetës së Astrit Deharit, te cilit ja vajtuan gjakun për një projekt elektoral për të mos ia zbardhur fatin në qeverisje.

Natyrisht, nga modele politike si Azemi pritet vetëm servilizëm, verbëri politike, llogari personale dhe nënshtrim absolut. Çështja është se Azemi shpërfaq diçka më të thellë në politikën e VV-së.

Se pari, ai është përzgjedhur nga partia e tij për ta dhënë këtë deklaratë pikërisht sepse askush nuk e merr seriozisht. Nëpërmjet tij, Albin Kurti fare lehte mund të hajë me dy lugë në tryezën e politikave të tij ditore.

Aktivistëve të gjorë ua ngrit moralin duke iu folur për bashkim kombëtar, ndërkombëtarëve dhe qarqeve tjera diplomatike ju premton plan-franko gjerman dhe ne rast nevoje ju tregon se Azemi është krejtësisht i izoluar, i parëndësishëm ne parti.

Për më shumë, kjo tregon se bashkimi kombëtar për Vetëvendosje nuk është asgjë më shumë sesa një aset simbolik për të prekur në zemrat e shqiptareve për t’ua marrë votën dhe mos ua zbatuar premtimet. Kjo politikë, natyrisht, do harxhohet shumë shpejt, ashtu sikurse po ndodh çdo ditë më të madhe.

E, edhe për më shumë, kjo qasje tregon se VV sa herë është në krizë, kurrizthyer nga cenimi i dinjitetit e gëlltitja e fjalëve, braktisja e kauzave e vjedhja e paskaj, ata iu rikthehen politikave simbolike për të mbuluar tjetërsimet e turpshme.

Sa të afrohet zbatimi i Asociacionit, Vetëvendosje gjithnjë e më shumë do të shpallë tradhtarë e gjithnjë e më shumë do të ligjërojë për madhështinë e kombit shqiptar. Asgjë e re dhe për t’u çuditur, mirëpo diçka është e sigurt: Vetëvendosje është duke shënuar çdo ditë trashëgiminë e saj në faqet e zeza të turpit të kombit.

Ah, për pak për ta lënë në harresë: edhe narkotrafikanti Mujeci në një postim të tij pak para se te kapej me sasi marramendëse substancash narkotike, kish bërë një postim duke thënë se koha e banditëve ka marre fund. Për ta thënë fare thjeshte pra: lideri i Shqipërisë natyrale sot është thjeshtë strategji retorike për t’i dhënë edhe një mbulesë, hajdutërisë dhe kompromiseve me Serbinë.