Opinione / Teknologji

YouTube-i, në rrugën e duhur për të zëvendësuar televizionin


David Hong

YouTube-i po e revolucionarizon industrinë e argëtimit.

Nga ceremonitë e çmimeve, te fitimet miliona dollarësh nga krijuesit dhe mundësitë për të ardhura të konsiderueshme nga reklamat, platforma e videove do të zëvendësojë përfundimisht televizionin që shumica prej nesh kemi njohur deri më tani.

Shoh video në YouTube më shumë sesa në televizor dhe mendoj se kjo vlen për shumicën e brezit tim dhe brezave që do të vijnë.

Kaq sa jemi të lidhur me telefonat tanë inteligjentë, lehtësia e qasjes dhe zgjedhja e përmbajtjes është ajo çka e bën platformën kaq popullore.

YouTube-i është bërë çuditërisht i ngjashëm me televizionin dhe thuajse e ka tejkaluar atë si një alternativë më e mirë për krijuesit.

Faqja e internetit ka shërbyer si një platformë për shumë prej të famshmëve të sotëm për të nisur karrierën e tyre.

Në vitin 2017, Forbes publikoi listën e krijuesve të përmbajtjeve në YouTube me fitimin më të lartë dhe të ardhurat mahnitëse.

Lilly Singh, një komediane, fitoi 10.5 milionë dollarë në vitin 2017, duke i përshtatur në video ditarët e saj. PewDiePie, një kanal lojërash, fitoi mbi 12 milionë dollarë. Dude Perfect, një grup prej pesë miqsh, fitoi afro 14 milionë dollarë duke performuar marifete dhe truke.

Sidoqoftë, marrësi më i madh i fitimeve për vitin 2017 ishte Daniel Middleton. Që nga fillimi i kanalit të tij në vitin 2012, lojtari britanik i Minecraft-it ka marrë thuajse 11 miliardë shikime dhe ka fituar afro 16.5 milionë dollarë.

Madje ka edhe ceremoni çmimesh për të shfaqur arritjet e krijuesve të YouTube-it.

Çmimet Streamy “nderojnë më të mirët në videon online dhe krijuesit pas saj. Ngjarja vjetore bashkon emrat më të mëdhenj në YouTube për një natë festimi, zbulimi dhe njohjeje kuptimplotë”.

Me kategori si “Personi i Parë” apo “Lojëra”, ceremonia e çmimeve reflekton saktësisht se për çfarë konsumatorët e videove dynden në platformë.

Përveç kësaj, Shorty Awards “nderojnë më të mirën e mediave sociale duke njohur ndikuesit, markat dhe organizatat në Facebook, Twitter, YouTube, Instagram, Snapchat, Musically dhe më shumë”.

Teksa mbulojnë shumë media sociale, kategoritë variojnë nga “Vlogger i Vitit” në “YouTuber i Vitit”. Rritja e popullaritetit dhe e famës së përmbajtjes video në YouTube ka sjellë prestigjin e shfaqur nga krijimi i këtyre ceremonive të çmimeve.

Edhe reklamat e kanë vënë re këtë ndryshim në zakonet e vlerësimit të konsumatorëve. Të dhënat nga një studim i Google-it i vitit 2017 nxjerrin YouTube-in si motorin e dytë të kërkimit më të përdorur në botë.

Sipas një studimi tjetër të Google-it, baza e përdoruesve të YouTube-it është gjithashtu jashtëzakonisht e angazhuar, me 95 për qind shikueshmëri reklamash dhe 95 për qind dëgjueshmëri reklamash.

Po ashtu, për të parë shumicën e videove në këtë pikë, shikuesi duhet të shohë të paktën pesë sekonda të një reklame, si dhe të ketë dritare kërcyese në anët e videove. Mundësia për ekspozim është e madhe për reklamuesit në internet.

Përkundrazi, reklamat po përpiqen t’i mbijetojnë mënyrës tradicionale televizive, e cila është në rënie.

Një tjetër studim i vitit 2017, zbuloi se shikueshmëria televizive është në rënie. Rezultati më i madh nga studimi qëndron në grupmoshën 18 deri në 24 vjeç, ku gati gjysma e kohës së shikimit të televizorit është zhvendosur në platforma të tjera si YouTube-i.

Edhe kur njerëzit janë duke parë televizor, shumica e ndryshojnë kanalin për të shmangur reklamat, duke dëshmuar se reklamat në këtë platformë shpeshherë janë të pafrytshme.

Qoftë në krijimin e personazhit të famshëm të mijëvjeçarit në internet, hapësirës premtuese për reklama dhe të ardhura, ose kreativitetin dhe zgjedhjen e pamasë si në krijimin edhe në shikimin e përmbajtjes video, YouTube-i po e zëvendëson shpejt televizionin tradicional.

Së shpejti do të kemi ekranet e sheshta dhe të rrëmujshme të televizorit në duart tona, ndryshe telefonin inteligjent dhe aplikacionin e tij YouTube.

 

Marrë nga “Collegiate Times”, publikim i vitit 2018.


Lajmet kryesore