Fëmijë i varfër dhe rebel, Putin-i në moshën 16-vjeçare u paraqit tek KGB për t’u rekrutuar. Kështu një njeri me një jetë gri u kthye në një tiran të konsumuar nga uria për madhështinë e Rusisë dhe vetes së tij.
Asgjë nuk e dallon shtëpinë me numrin 12 në Ulitza Baskova, në zemër të Shën Petersburgut, nga pjesa tjetër e ndërtesave anonime pranë saj.
Shenja e vetme është se nuk është e mundur të vizitohet. Në vitet 1950 ishte një nga ato shtëpitë e lindura nga nënndarja e apartamenteve të mëdha madhështore të epokës cariste, ku në Bashkimin Sovjetik jetonin së bashku disa familje, një për dhomë, me kuzhinë, banjë dhe korridor.
Vladimir Putin lindi dhe u rrit atje, në qytetin që atëherë quhej ende Leningrad. Jetesa ishte në kushte aq modeste, babai i tij ishte punëtor në një fabrikë treni, saqë gjuetia e minjve në të cilën ai u dallua nuk ishte vetëm lojë e një fëmijërie të varfër, por një luftë e vazhdueshme për të mos lejuar përhapjen e tyre.
Një ditë, Vladimiri i ri ndoqi një të tillë kaq të madh në shkallët e shtëpisë me një shkop në dorë, derisa e detyroi të strukej në një qoshe. Papritur miu u hodh drejt tij, duke iu futur në flokë dhe me një kërcim arriti të shpëtojë.
Incidenti, tha Putin në të vetmen autobiografi që shkroi me disa gazetarë në vitin 2000, i dha atij një mësim jete, të paharruar kurrë: “Të gjithë duhet ta kenë parasysh këtë: askush nuk duhet të vihet pa dalje në një qoshe”.
Mësimi i miut
Më 24 shkurt, presidenti rus urdhëroi aksionin më të madh ushtarak tokësor në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Një luftë brutale agresioni kundër Ukrainës, kundër çdo logjike racionale, në një bast gjeopolitik ku rreziqet dhe kostot po dalin shumë më të larta se sa ajo që mund të përkufizohej si një fitore kalimtare.
Dhe ndoshta duke pasur parasysh miun e famshëm, Putin-i e motivoi atë duke thënë se ai ishte i detyruar ta bënte këtë, pasi “Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër”.
Rikthimi te biografia e njeriut që u vetë-mishërua me misionin e ribashkimit të Russkij Mir-it, bota ruse e ndarë që nga fundi i Bashkimit Sovjetik, mishërimi i fundit i ëndrrës perandorake të një Rusie të përjetshme, është thelbësore për të kuptuar misterin e saj.
Jeta e Vladimir Putin është në fakt e mbushur me “Harte Wendungen”, pikat e kthesës traumatike të pikturuara nga Paul Klee, të cilat ndikuan fuqishëm në personalitetin e tij, derisa rrëshqiti në një lloj autokracie paranojake që e afroi atë me despotët më të pamëshirshëm në historinë ruse, nga Pjetri i Madh te Stalini.
Pika e kthesës së ish-huliganit
“Isha një huligan, një fëmijë i rrugës”, thotë për veten e tij kreu i Kremlin-it. Aq i tmerrshëm saqë një ditë Vera Dmitrievna Gurevich, mësuesja e shkollës fillore, shkoi te babai i tij për të folur me të për atë djalë shumë inteligjent, por me një prirje të madhe për të humbur.
Intervista duket shërbeu, sepse befas, në moshën 11-vjeçare, Volodia i vogël ndryshoi. Ai u bë më i miri në klasë në gjermanisht, filloi të merrej me sport. Një hundë e thyer e bindi se nuk ishte i lindur për boks.
Gjeti pasionin e tij të vërtetë në artet marciale: “Xhudo më hoqi nga rruga, nuk e di si do të kishte qenë jeta ime nëse nuk do të kisha takuar Anatoli Rakhlin, mësuesin tim të parë”. Me të mësoi kuzushi-n, një lëvizje që tenton t’i humbasë ekuilibrin fizik dhe mendor kundërshtarit dhe më pas ta rrëzojë, një teknikë të cilën e ka përdorur edhe në politikë.
Ideja për të qenë spiun i erdhi shpejt. Një mëngjes, në moshën 16-vjeçare, ai shkoi në zyrën e KGB-së në Leningrad dhe e pyeti se çfarë duhej të bënte për të punuar atje. “Së pari, ne nuk i marrim njerëzit që vijnë me iniciativën e tyre – u përgjigj zyrtari, – dhe së dyti, ata që vijnë tek ne e bëjnë ose pasi janë kthyer nga ushtria ose pasi kanë studiuar në universitet. “Kanë studiuar për çfarë?” pyeti djali. “Ku di unë? Juridik”, tha ai, ndoshta me thjesht qëllimin për ta hequr qafe. Dhe kështu u bë.
Nënkolonel i KGB-së në 5 vjet
Në vitin 1975, pasi ishte diplomuar së fundmi për drejtësi ndërkombëtare në Universitetin e Leningradit, Putin u punësua nga shërbimet sekrete sovjetike.
Pesë vjet më vonë, tani nënkolonel, i martuar me ish-zonjën e Aeroflot-ës, Ludmilla Alexandrovna Skrebneva dhe tashmë baba i një fëmije, ai u dërgua si shef i misionit në Dresden, në Gjermaninë Lindore (RDGJ), me detyrën për të mbledhur informacion mbi disidentët dhe për të vlerësuar performancën e kolegëve.
Platov u zgjodh emri i tij i koduar, nga ai i një gjenerali që komandonte Kozakët në luftën kundër Napoleonit. Celistit dhe mikut të madh Sergej Roldugin, i cili një ditë e pyeti se në çfarë konsistonte puna e tij në KGB, ai iu përgjigj: “Unë isha ekspert në marrëdhëniet njerëzore”.
Jeta e Vladimir Putin-it përmblidhet rreth katër qyteteve të fatit: Leningrad-Shën Petersburg, Dresden i Gjermanisë, Moska dhe Soçi në Detin e Zi, një vitrinë e fuqisë së tij perandorake.
Kur u zgjodh president ai tha: “Ju duhet të godini i pari dhe aq fort sa që armiku juaj të mos të mund të ngrihet më”
Kryeqyteti i Saksonisë i ka mbetur në zemër. Edhe pse aty filloi të lëkundet universi i tij. Këto ishin vitet e perestrojkës së Gorbaçov-it, të cilën udhëheqësit komunistë të Gjermanisë Lindore refuzuan ta ndiqnin.
Natën e 5 dhjetorit 1989, më pak se një muaj pas rënies së Murit të Berlinit, nënkoloneli Putin, i cili kishte kaluar ditë e net duke djegur dokumente konfidenciale për javë të tëra tashmë, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam duke kërkuar ndihmë dhe një ndërhyrje të armatosur.
Një turmë e zemëruar kishte rrethuar ndërtesën e KGB-së dhe kërcënoi se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Ne presim urdhra nga Moska, por qendra po hesht”.
Ai tha: “Largimi nga KGB-ja ishte zgjedhja me e dhimbshme e jetës time”, por pastaj Eltsin i hapi rrugën drejt zemrës së vendit
Ajo fjali shënoi jetën e tij përgjithmonë. Paraliza e pushtetit dhe kaosi i sheshit kanë qenë makthi i tij që atëherë.
tha ai në vitin 2000, vitin kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh më parë dhe të godasësh aq fort sa kundërshtari yt të mos jetë më në gjendje të ngrihet”. “Ne do të kishim shmangur shumë probleme,” shtoi ai, “nëse nuk do të kishim lënë Evropën Lindore kaq shpejt.”
Më makroskopi, sipas Putin-it, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur shkëputja e republikave, veçanërisht e atyre sllave, “i bëri rusët, grupin etnik më të madh në botë, të ndahej nga kufijtë shtetërorë”.
Ndoshta atë natë lindi dëshira për misionin në ribashkim.
Kthimi në Shën Petersburg
Vladimir Putin ishte 38 vjeç në vitin 1990 kur u kthye në Nieva me Ludmillën dhe dy vajzat e tyre të vogla, duke marrë me vete një makinë larëse të përdorur të ngarkuar në çatinë e veturës Vollgës.
Ai që i dha një punë të re ishte Anatoli Sobchak, kryebashkiaku i ri dhe një nga personazhet më të shquar të Rusisë së re. Ishte ai që ndryshoi emrin e qytetit nga Leningrad në Shën Petersburg, siç kishte qenë në kohët e vjetra.
Putin u bë zëvendës i tij. Pikërisht në zyrën e tij në Smolny, ku kishte varur portretin e Pjetrit të Madh në vend të Leninit, një ditë në pranverë të vitit 1991, ndërsa priste të pritej nga kryetari i bashkisë për një intervistë, Putin-i bëri çaj nga Samovari për mua dhe përkthyesen time Natasha Petrovna, duke folur me shumë nostalgji për vitet e tij në Gjermani.
Në qytetin më europian të Rusisë, lindi “banda e miqve të Petersburgut”, zinxhiri i lidhur pjesërisht me KGB-në, që do ta shoqëronte për gjithë jetën.
Banda e Shën Petersburg-ut dhe Medvedev
Ata të gjithë punuan së bashku për Sobchak-un: kryeministri dhe presidenti i ardhshëm Dmitry Medvedev, ministri i ardhshëm i financave Alexeij Kudrin, kreu i Gazprom-it Igor Sechin, bosi sportiv rus Vitaly Mutko, kreu i Gardës Kombëtare Viktor Zolotov, shefi i shërbimit sekret Sergej Naryshkin.
Pastaj ishin edhe shokët e tij të xhudos, vëllezërit Rotenberg, Arkady dhe Boris, të cilët do të bëheshin oligarkët “e tij”. Dhe së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm, ishte pronari i një restoranti që frekuentonte, Egvenij Prigozhin, i njohur si kuzhinieri e Putinit, i bërë miliarder falë furnizimit me ushqime që bënte për Kremlinin dhe më pas themelues i kompanisë “Ëagner”, milicia mercenare që ndërhyn në botë, nga Siria në Libi në emër dhe për llogari të Moskës.
Por në atë pikë në horizont u shfaq një qytet tjetër fati për Putinin, i cili në vitin 1991, pas rënies së BRSS-së, ishte larguar nga KGB-ja, dhe siç do të thoshte ai vetë kishte qenë “vendimi më i dhimbshëm i jetës sime”.
Kur Sobchak, i mbuluar nga akuzat për korrupsion, humbi zgjedhjet e vitit 1996, falë pozicionit të mirë të Kudrin-it, tashmë në Ministrinë e Financave, u hap një vend për të në administratën presidenciale të Boris Yeltsin.
Pak fjalë
Atij iu deshën më pak se dy vjet për të mësuar kodet e pashkruara të sjelljes së Kremlini-t. Diskret, efikas, me pak fjalë, gjithmonë me zgjidhjen gati.
Tashmë në 1998 Eltsin e emëroi atë në krye të FSB-së, trashëgimtarja e KGB-së. Ai e shfrytëzoi punën në perfeksion, veçanërisht duke treguar besnikëri totale ndaj shefit. Kur prokurori federal Yurij Skuratov hapi një hetim korrupsioni në familjen e Eltsin-it, një video u transmetua papritur në të gjitha televizionet ruse: ajo tregonte Skuratov-in lakuriq, me dy prostituta.
Ishte më klasikja e komprometimit në arsenalin e Lubyanka-s. Ishte vetë Putini që shpjegoi në TV se pamjet nuk ishin false. Skuratov dha dorëheqjen disa orë më vonë.
Elstin e shpërbleu më pak se një vit më vonë, duke e emëruar çuditërisht kryeministër. Në natën e Vitit të Ri 1999, ai e caktoi atë si pasardhësin e tij në krye të Rusisë. Pak orë para se të bëhej dorëzimi në Kremlin, Putin-i festoi përvjetorin e shërbimeve sovjetike me “ish-kolegët” e tij tashmë të FSB-së dhe tha: “Grupi i inflitruar pranë qeverisë është gati në realizimin e misionit të tij” dhe ngriti një dolli, duke bërë shaka, por mne sa duket jo aq shumë.
Kreu i Federatës Ruse: “Ne do të rivendosim rendin”
Më 23 mars 2000, pas një kohe të shkurtër në krye ad interim, Vladimir Putin u zgjodh president i Federatës Ruse me 52.9% të votave. “Do të rivendosim rendin”, ishte premtimi.
Shqetësimi i tij ishte nderi i humbur i Rusisë, tashmë i zbritur nga roli i Superfuqisë dhe i privuar nga respekti që për rusët është një nevojë ekzistenciale.
Në vitet e para në krye të Rusisë, përveç rindërtimit ekonomik dhe politik të një vendi të asgjësuar nga konfuzioni i viteve 1990, duke disiplinuar oligarkët dhe duke shtypur brutalisht rebelimin e Çeçenisë, Putin kishte nisur një dialog të ngushtë me SHBA-të dhe Perëndimin, i cili kulmoi me marrëveshjen e bashkëpunimit NATO-Rusi, madje duke shkuar aq larg sa të teorizonte se Moska një ditë mund të ishte pjesë e Aleancës.
Pika e kthesës erdhi në vitin 2007, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kur ai ndërmori një sulm të gjithanshëm kundër perëndimorëve, duke denoncuar rendin e krijuar pas Luftës së Ftohtë, pushtimin amerikan të Irakut dhe mbi të gjitha zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë, në sytë e Putinit një tradhti ndaj premtimeve të bëra në vitin 1990 ndaj Gorbaçovit.
Që nga ai moment, lideri rus filloi kthesën, duke iu kthyer një spiraleje gjithnjë e më autoritare nga brenda, nacionaliste dhe agresive nga jashtë.
Në vitin 2008 ai nisi aksionin e parë ushtarak në hapësirën ish-sovjetike, duke pushtuar Abkhazinë, një territor i Gjeorgjisë.
Ka shumë faktorë prapa involucionit të Putinit dhe metamorfozës së tij në një udhëheqës gjithnjë e më autoritar.
Pranverat arabe dhe fundi i dhunshëm i Gadafit lanë gjurmë të fortë tek ai. Revolucioni i parë ukrainas, ai portokalli, ishte një tjetër sinjal shkatërrues për liderin e Kremlinit, i cili pa në vendin fqinj një shembull të rrezikshëm rebelimi, kërkesash demokratike, kaosi.
Gjykimi dhe revolucioni i Euromaidan-it
Rivendosja e dështuar me administratën Obama ishte pasojë e këtij ndryshimi personal dhe politik.
Në vitin 2011, kur si kryeministër (në periudhën katërvjeçare në të cilën ai ia dha postin e presidentit Dmitry Medvedev-it) ai e takoi për herë të parë ballë për ballë, atëherë nënpresidenti Joe Biden korrigjoi rrënjësisht gjykimin që George Ë. Bush kishte dhënë për të vite më parë: “E pashë në sy dhe mund të shihja shpirtin e tij”.
Biden dha një përshtypje të kundërt: “Zoti Kryeministër, po të shikoj në sy dhe nuk mendoj se ju keni një shpirt”. Putin-i u përgjigj duke buzëqeshur: “Unë shoh që ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë”.
Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, pas revolucionit të Euromaidanit në Kiev, të cilin ai e quajti një puç të orkestruar nga amerikanët, asgjë nuk ka qenë më e njëjtë.
Sanksionet perëndimore e kanë përshpejtuar narrativën e tij si një vend i rrethuar, gjë që i ka dhënë atij nivele shumë të larta konsensusi.
Polemika e Putin-it kundër Perëndimit dekadent dhe të shthurur është bërë gjithnjë e më e fortë. Ndërsa brenda, ata që nuk u rreshtuan në anën e tij si Alexeij Naval’nyj u persekutuan dhe u sulmuna me jetën e tyre.
Olimpiada e oligarkëve
Ishte në Detin e Zi, në qytetin e katërt të fatit, që Vladimir Putin organizoi dimensionin e tij të ri perandorak, me Lojërat Olimpike Dimërore 2014, një ekstravaganzë miliarderësh e paguar nga oligarkët, të cilët vendosën vendndodhjen e preferuar të Stalinit si kryeqytetin e ri diplomatik të Rusisë.
Në ato vite liderët e botës kaluan të gjithë prej andej, nga Erdogani, te Netanyahu, te Angela Merkel, të cilën Putin, duke ditur frikën e saj nga qentë, e mirëpriti duke e lënë labradorin e tij në dhomë.
Dhe pikërisht në Soçi së bashku me gjeneralët e tij ai fillimisht finalizoi aneksimin e Krimesë dhe më pas në vitin 2015 aventurën në Siri, i inkurajuar nga hezitimi i administratës Obama.
Ai vuri bast dhe fitoi. “Putini ishte me fat dhe kjo është e rrezikshme për një kumarxhi,” thotë Gleb Pavlovski, një shkencëtar politik që ka punuar me të në Kremlin përpara se të bëhej kundërshtar i tij.
Izolimi i Carit
Kanë kaluar 22 vjet që kur Putin ka arritur në krye të Rusisë. Putin-i ndryshoi Kushtetutën, duke ipotekuar pushtetin deri në vitin 2036.
Rrethi i këshilltarëve të tij është bërë gjithnjë e më i vogël, distanca e tij nga bota reale gjithnjë e më e madhe. Cari është vetëm. Konsensusi thërrmohet, falë një situate ekonomike në përkeqësim të vazhdueshëm.
Pandemia ka theksuar izolimin e tij fizik dhe mendor. Ai është bërë i padepërtueshëm për vetë bashkëpunëtorët e tij. Askush nuk e di se cilat do të jenë vendimet e ardhshme.
Në prag të të 70-tave, me një gjendje shëndetësore të kthyer në sekret shtetëror dhe sipas shumë njerëzve në rrezik, Putin-i ka nxitim. Ai dëshiron të bashkojë Russky Mir, të shpëtojë Rusinë e përjetshme, ta kthejë atë në një Fuqi të Madhe.
Duke asgjësuar në mënyrë të përgjakshme Ukrainën, kombin motër që “pretendon” të zgjedh vetë fatin e saj, ai dëshiron të përfundojë misionin. Por siç kujton Pavlovski, “kur luan në ruletë ruse, mendon se Zoti është me ty, derisa të të vijë goditja”.