Opinione / Editoriale

Vjosa Osmani, ‘telefoni i prishur’ i Albinit


Mero Baze Gazetar, publicist

Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Kancelari gjerman Scholz, kanë takuar sot Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në përpjekje për ti përcjell agjendën e dy vendeve autore të Marrëveshjes së Ohrit, për planin e depërshkallëzimit të konfliktit në Veri të Kosovës.

Takimi me zonjën Osmani është një sinjal i hidhur diplomatik për Kryeministrin Albin Kurti, i cili ka hyrë në spiralen e izolimit ndërkombëtar pas karshillëkut që dëshmoi ndaj aleatëve perëndimor në konfliktin në Veri, dhe aktet e pakonsultuara me aleatët perëndimorë.

Ajo që shikohet para takimit është se Vjosa Osmani ngjan  shumë e lumtur që takohet me dy njerëzit më të fuqishëm të Evropës, ndërsa pas takimit ngjan e frustruar dhe përpjekja e saj kryesore është të mos falsë për takimin.

Problemi që ajo ka është se ndjehet e kompleksuar të bëj publike mesazhet e takimit, të cilat janë detyrim që Kosova e ka për depërshkallëzimin e konfliktit në veri. Do ose nuk do ajo, ato që ajo ka dëgjuar në takim, do të jenë detyra të Kosovës në muajt në vazhdim.

Arsyeja e vetme përse ajo nuk merr dot rol publik në këtë histori dhe nuk flet dot, është se ka frikë Albin Kurtin.

E vërteta e hidhur për Kosovën është se plani Franko-Gjerman do zbatohet më mbështetjen e SHBA, por nëse situate do të kishte shkuar normalisht, Kosova do ishte e favorizuar si vend I besuar të mos ishte nën kushtëzime të forta për pakicën serbe në statusin që do ketë për asociacionin e komunave, kurse pas kësaj Kosova do të jetë më e ndëshkuar në atë histori.

E thënë më thjeshtë, nëse do sillej normalisht dhe si një lidership perëndimor, udhëheqja e Kosovës do ta kishte më të lehtë të nënshkruante detyrimet e saj, të cilat tani do të detyrohet përsëri ti nënshkruaj, por me kushte më të rënda dhe garanci më të mëdha për serbët, të cilët kanë fituar një betejë të rëndësishme diplomatike ne Perëndim, fal Albin Kurtit.

Është kjo arsyeja që Vjosa Osmani nuk thotë dot në publik, atë që po e thonë zyrtarët perëndimor dhe që ka të bëj me agjendën e depërshkallëzimit.

Serbia do të detyrohet të tërheq ushtrinë nga rreshtimi qesharak në kufijtë e Kosovës, dhe të lejojë nëpunësit e komunave të kthehen në punë për tu shërbyer qytetarëve, ndërsa Kosova do të shpall zgjedhjet e parakohshme lokale që gjithçka të përfundoj  dhe të vazhdojnë bisedimet për Marrëveshjen finale në Paris.

Vjosa Osmani e ka marrë të qartë këtë mesazh. Po ashtu dhe Albin Kurti. Përpjekja e këtij të fundit për të bërë si “I fortë” është e kuptueshme pasi po e humbet personalisht betejën me Perëndimin dhe do përpiqet të shpërfaq hidhërimin e tij.

Por Vjosa Osmani është formalisht Presidente e Kosovës dhe jo shefe protokolli e Albin Kurtit dhe ajo duhet tua thotë qytetarëve detyrimet që ka Kosova si shtet para Perëndimit për të normalizuar situatën.

Ajo çfarë do të bëjnë në vazhdim është e gjitha një tërheqje nga ajo çfarë ka bërë Albin Kurti këto dy javë, por një tërheqje me kosto të lart, të cilën do ta paguaj Kosova.

Mungesa e guximit të saj për ta thënë këtë, tregon qartë se ajo nuk ka fuqinë të jetë palë me perëndimin në këto bisedime. Por thjesht vlen si sekretare e Albinit, për t’ia çuar porositë me “telefon të prishur”.


Lajmet kryesore