Opinione / Editoriale

Vetëkënaqësia e AI po komprometon mbrojtjen perëndimore


Charles Ferguson Investitor teknologjie dhe analist politikash, është regjisori i dokumentarit fitues i çmimit Oscar “Inside Job”

Ashtu si Perëndimi është detyruar të përballet me Rusinë dhe Kinën, konfliktet ushtarake kanë zbuluar dobësi të mëdha sistematike në ushtritë amerikane dhe evropiane dhe bazat e tyre mbrojtëse-industriale.

Këto probleme rrjedhin nga tendencat në themelet e teknologjisë.

Në Ukrainë, sistemet e shtrenjta të drejtuara me njerëz si tanket, avionët luftarakë dhe anijet luftarake kanë treguar se janë jashtëzakonisht të prekshme ndaj dronëve të lirë pa pilot, raketave të lundrimit dhe raketave të drejtuara.

Rusia ka humbur tashmë më shumë se 8 mijw automjete të blinduara, një të tretën e flotës së saj në Detin e Zi dhe shumë avionë luftarakë, duke e bërë atë të lëvizë sistemet e saj të shtrenjta të drejtuara nga ushtarakët larg nga zonat e luftimit.

Dronët e lirë të prodhuar në masë nga Kina, Rusia, Irani, Turqia dhe tani Ukraina janë bërë armë sulmuese tejet të rëndësishme dhe mjete të vlefshme për mbikëqyrje, shënjestrim dhe orientim.

Shpesh bazuar në produktet komerciale të disponueshme gjerësisht, dronët prodhohen me miliona me një kosto prej vetëm 1 mijë deri 50 mijë dollarë secili. Megjithatë, asnjë dron i tillë nuk prodhohet në Shtetet e Bashkuara ose në Evropën Perëndimore – një dobësi e madhe në bazën industriale dhe pozicionin ushtarak të Perëndimit.

Ndërkohë që dronët rusë, kinezë dhe iranianë janë të lehtë për t’u shkatërruar duke përdorur sistemet ekzistuese perëndimore, kostot janë shumë të larta – duke filluar nga 100 mijë deri në 3 milionë dollarë për objektiv.

Ky raport i pakrahasueshëm është rezultat i dekadave të vetëkënaqësisë dhe joefikasitetit burokratik. Asnjë kontraktues perëndimor i deri tashmë nuk prodhon një sistem anti-dron me kosto konkurruese – edhe pse disa startup-e amerikane dhe ukrainase po i zhvillojnë ato tani.

Më keq, kjo situatë është thjesht një prelud i një të ardhmeje të armëve autonome pa pilot. Shumica e dronëve aktualë ose kontrollohen nga distanca nga një njeri ose udhëhiqen në mënyrë të thjeshtë nga GPS ose harta digjitale. Por teknologjitë e reja të AI (inteligjencës artificiale, shën. red.) – të bazuara kryesisht në kërkime akademike dhe produkte komerciale të disponueshme publikisht – së shpejti do të transformojnë luftën, dhe me shumë gjasë terrorizmin gjithashtu.

Dronët e aktivizuar me AI tashmë mund të operojnë në grupe shumë të koordinuara, për shembull duke i mundësuar një sulmuesi të rrethojë një objektiv dhe të parandalojë largimin e tij.

Synimi në vetvete po bëhet jashtëzakonisht i saktë – deri në nivelin e identifikimit të një fytyre individuale, një veshjeje fetare ose një targe specifike automjeti – dhe tufat e dronëve janë gjithnjë e më në gjendje të lundrojnë nëpër qytete, pyje dhe ndërtesa.

Një shembull ndër shumë është një punim i vitit 2022 i botuar në Science Robotics nga studiues akademikë kinezë që tregon lundrimin me dron nëpër një pyll.

Më pas janë robotët humanoidë komercialë dhe ushtarakë. Videot e publikuara nga studiuesit në Universitetin e Stanfordit në janar, bazuar në kërkimet e tyre të fundit, tregojnë robotë të drejtuar nga AI që kryejnë detyra shtëpiake, duke përfshirë skuqjen e ushqimeve të detit në tigan dhe pastrimin e verës së derdhur.

Ndërsa gatimi i karkalecave është akoma larg përdorimit të një pushke snajper ose montimit të komponentëve të raketave, ekziston një konsensus i gjerë se “momenti i ChatGPT” në robotikën humanoide ka ardhur.

Produktet e drejtuara nga AI, si ato ushtarake ashtu edhe ato komerciale, varen nga një strukturë teknologjie në nivele, komplekse, në bazën e së cilës janë pajisjet kapitale gjysmëpërçuese (makinat me precizion të lartë që prodhojnë çipat), të ndjekur nga gjysmëpërçuesit (të tillë si procesorët AI të Nvidia-s) , qendrat e të dhënave, modelet e AI dhe të dhënat e tyre të trajnimit, shërbimet cloud të AI, dizajni i produkteve harduerike, prodhimi dhe inxhinieria e aplikacioneve dhe sistemeve.

SHBA-të, Evropa Perëndimore, Tajvani dhe Koreja e Jugut kolektivisht janë ende përpara Kinës (dhe Rusisë) në shumicën e këtyre zonave, por epërsia e tyre po reduktohet dhe Kina tashmë dominon tregjet botërore për pajisje me përdorim të dyfishtë të prodhuar në masë si dronët dhe robotët.

Përgjigja perëndimore ndaj kësaj sfide deri më tani ka qenë mjerisht joadekuate. Kontrollet e eksportit ndaj teknologjive që mundësojnë inteligjencën artificiale kufizohen në aparatura dhe procesorë për gjysmëpërçues dhe përpunuesit, madje edhe ndaj këtyre ka pasur rezistencë, shmangie apo harresa.

Ndërkohë që eksportet e përpunuesve të nivelit të lartë të AI në Kinë janë ndaluar, qasja në shërbimet cloud të SHBA-ve që përdorin të njëjtët procesorë mbetet e hapur dhe Nvidia tani i ofron Kinës procesorë të AI pothuajse po aq të fuqishëm, por të përshtatur posaçërisht për të përmbushur kontrollet e eksportit të SHBA-ve. Nuk ka asnjë kontroll të eksportit ose licencimit mbi të dhënat e kërkimit, modeleve ose të dhënave për trajnimin e AI-së.

Edhe pse disa kompani amerikane, si Google, i kanë mbajtur e ruajtur modelet e tyre të AI-së dhe kanë kufizuar aksesin kinez në teknologjinë e tyre, të tjera kanë bërë të kundërtën.

Ndërsa OpenAI ndalon aksesin e drejtpërdrejtë kinez në ndërfaqet e tij të programimit të aplikacioneve, të njëjtat API mbeten të disponueshme përmes Microsoft-it.

Ndërkohë, Meta ka përqafuar një strategji plotësisht me burim të hapur (open source) për përpjekjet e saj të AI-së dhe firma e kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz po lobon për të parandaluar kontrollet e eksportit (ose në të vërtetë çdo kufizim rregullator) në modelet e AI-së me burim të hapur.

Sektorët e teknologjisë amerikane dhe evropiane po sillen kështu si një skuadër pushkatimi qarkullues, me firmat individuale që përpiqen të shesin sa më shumë në Kinë.

Duke u përpjekur për të fituar një epërsi ndaj konkurrentëve të menjëhershëm, secila firmë dobëson pozicionin afatgjatë të të gjithë të tjerëve, dhe në fund të fundit edhe të vetin.

Nëse kjo vazhdon, rezultati i parashikueshëm është se SHBA-të dhe Evropa Perëndimore do të mbeten prapa Kinës – madje edhe pas Rusisë, Iranit apo grupeve të decentralizuara terroriste – si në luftën e drejtuar nga AI, po ashtu dhe në aplikacionet komerciale të inteligjencës artificiale.

Shumë teknologë dhe menaxherë në Silicon Valley dhe organizata qeveritare janë në dijeni për këtë rrezik dhe janë shumë të shqetësuar. Por pavarësisht disa iniciativave të rëndësishme (si p.sh Njësia e Inovacionit të Mbrojtjes brenda Pentagonit), ka pasur relativisht pak ndryshime në sjelljen e industrisë së mbrojtjes ose politikën qeverisëse.

Kjo situatë është veçanërisht absurde, duke pasur parasysh mundësinë e dukshme për një përfitim jashtëzakonisht të madh nga ky biznes: pranimi i industrisë ndaj kontrolleve të eksporteve të imponuara nga qeveria në këmbim të një negociate kolektive të mbështetur nga qeveria me Kinën në lidhje me licencimin e teknologjisë, aksesin në treg dhe përfitime të tjera komerciale.

Pavarësisht disa fushave ku ka tension të vërtetë, ekziston një shkallë jashtëzakonisht e lartë e linjëzimit ndërmjet interesave të sigurisë kombëtare dhe interesave kolektivë afatgjatë të sektorit të teknologjisë perëndimore.

Strategjia logjike është që qeveria amerikane dhe Bashkimi Evropian të shërbejnë si agjentë kontraktues në emër të industrisë perëndimore kur kanë të bëjnë me Kinën. Kjo do të thotë të veprosh në koncert me industrinë, duke ruajtur gjithashtu fuqinë dhe pavarësinë e nevojshme për të krijuar dhe zbatuar kontrolle të rrepta (të cilat industria duhet të pranojë se janë në interesin e saj afatgjatë).

Për fat të keq, gjërat nuk janë duke ecur në ketë drejtim. Edhe pse politike bërësit dhe teknologët po zgjohen ndaj këtij kërcënimi, teknologjia bazë tani po lëviz në mënyrë dramatike më shpejt se debatet e politikave dhe proceset legjislative – për të mos përmendur ciklet prodhuese të Pentagonit dhe të kontraktorëve të përhershëm të mbrojtjes.

Zhvillimi i inteligjencës artificiale po përparon kaq shpejt saqë edhe sistemi i startup-eve të SHBA-ve e ka të vështirë të ndjekë hapin. Kjo do të thotë se nuk ka kohë për të humbur.

_______________________________________________________

Charles Ferguson, një investitor teknologjie dhe analist politikash, është regjisori i dokumentarit fitues i çmimit Oscar “Inside Job”.

Artikulli origjinal i publikuar nga Charles Ferguson në Project Syndicate

E drejta e autorit: Project Syndicate, 2024.

www.project-syndicate.org


Lajmet kryesore