Opinione / Politikë

Turqia pas 28 majit me apo pa Erdoganin


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

E ardhmja e Turqisë do të luhet me 28 maj, kur në balotazh do të kalojnë presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan dhe lideri i opozitës Kemal Kiliçdaroglu.

Sfiduesi i Erdogan është kreu i partisë kryesore opozitare, CHP (Partia Republikane Popullore), e themeluar nga Ataturku.

Ai arriti të krijojë për herë të parë një “Aleancë Kombëtare” të përbërë nga gjashtë parti shumë heterogjene, nga nacionalistët në të majtë, nga kurdët te të gjelbërit, me qëllim të përbashkët rrëzimin e Erdoganit nga pushteti.

Akuzat kryesore në spotet e tij janë ndaj rivalit për dështimin në ekonomi dhe rritjen e inflacionit.

Turqia ka 85 milionë banorë, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s dhe ka një inflacion katastrofik që ka kaluar 80 për qind.

Në roundin e parë të dielën e 14 majit Erdogan mori 49.2% të preferencave, pak më poshtë pragut për zgjedhje. Kiliçdaroglu u ndal në 45%, duke vënë fare qartë në evidencë polarizimin e thellë të shoqërisë turke.

Të gjithë sytë në këto dy javë midis dy raundeve janë te votuesit e Sinan Ogan-it, kandidat i pavarur i të djathtës nacionaliste, i cili mori pak më shumë se 5% të votave.

Në teori qëndrimet e tij janë më afër atyre të Erdoganit, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjes kurde.

Ogan vjen nga MHP, lëvizja nacionaliste që mbështet presidentin aktual. Por pikërisht mosmarrëveshjet me partinë e vjetër mund ta shtyjnë Ogan-in t’u japë indikacione ndjekësve të tij në favor të Kiliçdaroglu-t.

Megjithatë, ajo çka do të ndodhë mbetet e vështirë për t’u deshifruar. Ndërkohë jashtë vendit, raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi, tashmë ka filluar.

Erdogan do të luajë kartën e stabilitetit politik pas rezultatit të zgjedhjeve legjislative, në të cilat partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ishte pjesërisht fituesja kryesore me 268 vende dhe do të jetë në gjendje të mbajë shumicën në Asamblenë Kombëtare duke formuar një qeveri me partnerët e tij, ku kryesore është Partia për Lëvizjen Nacionaliste.

E megjithatë, për shumë qytetarë turq, dilema do të jetë e njëjtë si në 14 maj: ose të votojnë për të parë Erdogan-in të qëndrojë në pushtet ose të zgjedhin ndryshimin pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve legjislative.

Që kur Erdogan reformoi kushtetutën duke i dhënë fuqi rolit presidencial në presidencë ekzekutive (reformë kjo që e lejoi atë të vazhdojë të mbajë drejtimin e vendit edhe për dhjetë vjet të tjera pas një dekade të parë si kryeministër), është hera e parë që Turqia shkon në votime.

Këto zgjedhje në Turqi mendohet janë të rëndësishme si për rrjedhën e demokracisë në vend, ashtu edhe për orientimin e politikës së jashtme turke.

Kiliçdaroglu, ekonomist dhe lider i Partisë Popullore Republikane, arriti të bashkojë kurdët e HDP-së në një aleancë të moderuarve dhe nacionalistëve, të gjelbërit dhe të majtët. Bashkë me ta edhe kryetarët e bashkive me ndikim të Stambollit, Ekrem Imamglu-n dhe atë të Ankarasë, Mansur Yavas.

Imamglu dhe Yavas janë pikërisht të parët që akuzuan agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu se po përpiqej të ndikonte në votim.

Megjithë bashkimin e disa partive (me shumë shpirtra të ndryshëm dhe me një bazë elektorale të tërthore), rreth kandidatit Presidencial, i cili kishte humbur me Erdogan-in disa herë në të kaluarën, opozita kryesore në Turqi që synonte të rrëzonte Reis-in nga froni, nuk arriti të bindë shumicën e qytetarëve se ai mund të ofrojë një alternativë të besueshme politike.

Rezultati i 14 majit që i dha shumicën e ulëseve aleancës së Erdoganit në parlament tashmë kufizon mundësitë e opozitës për të zbatuar programin e saj, edhe nëse lideri i saj, Kemal Kilicdaroglu, fiton raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërkohë Erdogan vazhdon të flasë për masa populiste si rritja e pagave të administratës publike, si edhe me një retorikë që i drejtohet jo vetëm konservatorëve, por edhe tradicionalistëve.

Nëse do analizohet sjellja e votuesve disa qytete turke, si Ankara, Stamboll, por edhe Izmir e Van duken qartësisht të jenë kundër Tayyip Erdogan, duke votuar për Kiliçdaroglu me shpresën e ndryshimit politik. Përkeqësimi i situatës makroekonomike dhe dobësimi i të drejtave civile, duket se kanë pasur një rol kritik në vendimin përfundimtar të qytetarëve turq në këto zona.

Elementi i ri që del nga ajo çka është vërejtur dhe në të kaluarën pikërisht në këtë ndarje gjeografike, ku Erdogan është popullor më shumë në zonat rurale dhe konservatore në pjesën e brendshme të Egjeut, në Detin e Zi Perëndimor dhe në Anadollin qendror (ku klientelizmi dhe elementi fetar janë ndoshta më të rëndësishëm se kriza ekonomike dhe politike), është dalja në skenë e Partisë së Majtë të Gjelbër.

Në Turqinë lindore, dhe veçanërisht në provincat me një popullsi të madhe kurde, qytetarët që votuan për Partinë e Majtë të Gjelbër, nën të cilën kandidon Partia Demokratike Popullore, treguan preferencën për Kiliçdaroglu. Edhe pse nga përllogaritjet kurdët kanë pasur rëndësi në votim, por ata nuk kanë qenë faktori përcaktues.

Në pasigurinë e një rezultati për 28 majin nuk është e qartë se çfarë ndryshimesh do të sillte fitorja e liderit opozitar. Vështirë se Kiliçdaroglu do të heqë dorë nga kompetencat e presidencës ekzekutive. Sidomos tani që në Asamble shumicën e vendeve e ka fituar aleanca e AKP-së.

Kiliçdaroglu ka premtuar të rivendosë pavarësinë e bankës qendrore, gjykatave dhe trupit diplomatik, por sa do të arrijë të avancojë në platformën e tij në rast fitoreje ende nuk ka asnjë garanci.

Ai do të përpiqej ta afronte Turqinë me NATO-n dhe më pas me BE-në, me të cilën situata është e ngrirë prej vitesh.

Por gjithsesi pas zgjedhjeve parlamentare, është vazhdimësia ajo që pritet në politikën e jashtme turke, duke mos harruar se Turqia nën drejtimin e Erdoganit, në muajt e fundit, ka përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Një nga problemet kryesore, ajo qipriotë dhe mosmarrëveshjet me Greqinë për ishujt dhe zonat burimore të gazit në Mesdheun lindor, do të mbetën sërish po të njëjtat.  Në platformën e Aleancës shkruhet se “Turqia do të ndjekë objektivat e mbrojtjes së të drejtave të fituara të Republikës Turke të Qipros Veriore”.

Ankaraja, me cilën do qeveri, nuk do të pranojë kurrë një rol më të madh të BE-së në çështjet e Mesdheut.

Për më tepër, në afat të mesëm, tensioni me Shtetet e Bashkuara për praninë amerikane në Qipro, pas heqjes së embargos së armëve të SHBA, gjithashtu ka të ngjarë të rritet.

Tension i cili ka karakterizuar marrëdhëniet mes dy vendeve prej vitesh.

Erdogan ka akuzuar më parë Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e predikuesit islamik Fethullah Gylen në Pensilvani, i cili për të ka qenë organizuesi i grushtit të shtetit të dështuar në 2016.

Gjithashtu çështja e avionëve luftarakë F-35 ka qenë shkak kontrasti. Washingtoni ka kundërshtuar blerjen nga Turqia të sistemit raketor rus S-400 dhe për këtë arsye i ka refuzuar Turqisë që nga viti 2019 dërgimin e Avionë luftarakë F-35, të cilët janë të paguar.

Asnjë gjasë nuk ka të ndodhë as tërheqja e trupave turke të vendosura në funksionin antikurd kundër YPG-së në kufirin me Sirinë, në rast fitoreje nga Kiliçdaroglu.

Shpresa ishte që të shihej Erdogani i rrëzuar në raundin e parë. Kjo nuk ndodhi dhe gjasat se balotazhi mund të ri konfirmojnë presidentin, janë të larta.

Ndërkohë ekonomia ka qenë reaguesi i parë i rezultatit zgjedhor. Në mëngjesin e datës 15 maj në bursë reagimi i lirës turke ishte negativ. Aksionet dhe obligacionet turke ranë ndërsa kostoja e sigurimit të borxhit të qeverisë ndaj mospagimit u rrit pasi normat e interesit mbaheshin nën inflacion.

Rritja e vitit 2001, e lehtësuar nga politikat e qeverisë së mëparshme, tashmë i përket së shkuarës.

Nëse opozita triumfon, në lidhje me ekonominë ajo do të përballet me detyra të vështira.

Por, nëse humb Erdogan, rreziku që bankat evropiane do të paguajnë është real, duke qenë se shumë prej tyre janë tejet të ekspozuara në vend. Sipas Bloomberg, megjithëqë reduktimet e bëra, bankat spanjolle, franceze, britanike dhe gjermane kanë ende investime në vlerë miliarda.

Në pritje të rezultatit të 28 majit, sondazhet (nuk dihet deri ku të besueshme) japin në avantazh Erdoganin dhe u japin pak hapësirë surprizave.

Gjithsesi, në rast fitoreje nga opozita, karakteristika do të jetë më shumë vazhdimësia, pa ndonjë përmbysje të madhe strategjike, me kriza të ndryshme politike të herë pas hershme.


Lajmet kryesore