Trump dhe Kabineti që do Besnikërinë dhe Kontrollin

Me fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale, Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një administratë që pritet të thellojë dhe të përforcojë filozofinë e tij politike, një vizion që për shumë ...
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Trump dhe Kabineti që do Besnikërinë dhe Kontrollin

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Me fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale, Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një administratë që pritet të thellojë dhe të përforcojë filozofinë e tij politike, një vizion që për shumë mbështetës përfaqëson “Trumpizmin” e pastër. Megjithëse emrat për kabinetin nuk janë ende të konfirmuar, kolegët gazetarë kanë filluar të flasin për qëllimin e Trump, që tashmë duket i qartë.

Në biseda flitet se Kryetari i ri amerikan do të krijojë një kabinet të përbërë nga figura të cilat ndajnë besnikërinë dhe përkushtimin ndaj tij.

Burime brenda Partisë Republikane sugjerojnë se Trump dëshiron të shmangë ndikimin e ndonjë figure që mund të vërë në pikëpyetje vendimet e tij, duke shfaqur një model të lidershipit, ku lojaliteti vlerësohet mbi çdo gjë tjetër. Një element thelbësor i këtij kabineti të ri pritet të jetë përzgjedhja e njerëzve që kanë treguar një besnikëri të pakushtëzuar ndaj tij dhe ndaj vizionit të tij për Amerikën.

Në parantezë megjithatë fillimisht, duhet përmendur “fenomeni” Musk, ylli polar i Trump në fushatë, i cili eklipsoi deri diku zëvendëspresidentin JD Vance dhe dukej si bashkëpiloti i Trump në fushatë. Do të jetë me siguri në krye të Agjencisë për Konkurrencën.

Vetë Musk merr financime dhe komisione në vlerë 15 miliardë dollarë nga SHBA-të për kompanitë e tij qindra miliarda dollarëshe, që operojnë në tre fusha madhore: Makinat elektrike, shërbimet hapësinore dhe Inteligjenca Artificiale.

Me pozitën e re, ai bëhet kontrollor i rivalëve dhe balanca në këtë aspekt do të jetë kritike, mes Musk-ut biznesmen dhe atij “politikan” (sa mund të quhet i tillë) – njëjtë si Trumpi biznesmen dhe Trumpi president.

Të kalojmë te emërimet politike!

Një ndër emrat më të përfolur për Departamentin e Mbrojtjes, që kolegët tanë përmendin, është ai i senatorit Marco Rubio.

Trump, thonë këto burime, e konsideron Rubio-n si një figurë e fortë e sigurisë kombëtare, me një qëndrim të fortë kundrejt Kinës.

Ata e përshkruajnë Rubio-n si njeri që do të sjellë një qasje të ashpër dhe të pandryshueshme në mbrojtje, një karakteristikë që përshtatet mirë me vizionin e Trump për një administratë të vendosur, që angazhohet për ruajtjen e dominimit amerikan në skenën globale.

Pikat kryesore do të përqendrohen në Azi dhe në konfliktet në Lindje të Mesme dhe Ukrainë.  Edhe pse duket optimiste, por thuhet që Trump ka vendosur Prillin e vitit 2025, si kohë që do të jetë kufiri për t’i dhënë fund luftës. Ose më mirë thënë, ndërprerjen e konfliktit, për t’i dhënë hapësirë paqes dhe marrëveshjes.

Për diplomacinë, thuhet se Trump duket i interesuar për një profil si Bill Hagerty, një ish-ambasador me lidhje të forta në Azinë Lindore. Ai përshkruhet si figurë, i cili do të ndihmojë në përforcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, por gjithashtu do të shfaqë një qasje më të përmbajtur ndaj diplomacisë multilaterale.

Në këtë frymë, Trump synon të riafirmojë rolin e SHBA-ve si një lider global, por me një politikë të bazuar mbi fuqinë dhe interesat amerikane mbi gjithçka tjetër. Prandaj nuk hezitojnë ta quajnë periudhën që po vjen si “Trumpizëm i pastër”.

Vivek Ramaswamy është një tjetër emër që po përmendet për Departamentin e Tregtisë dhe përzgjedhja e tij mund të përfaqësojë një ndryshim radikal për këtë dikaster. Kjo figurë konsiderohet si një avokat i kapitalizmit dhe rritjes ekonomike të bazuar në inovacion, risi dhe investim në modele të paarrithshme amerikane.

Ramaswamy pritet të avancojë politika që synojnë rigjenerimin e sektorëve industrialë në SHBA, duke ulur varësinë nga importet dhe duke promovuar prodhimin e brendshëm.

Ndërkohë, figura si Scott Bessent dhe John Paul Tudo janë emra të përfolur për Departamentin e Thesarit, ku pritet që të sjellin një qasje rigoroze në politikën fiskale. Përdorimi i buxhetit dhe menaxhimi i borxhit do të jenë në fokusin e tyre, me një përkushtim ndaj taksës së ulët dhe politikave që nxisin investimin në sektorët privatë. Kështu përshkruhen pretenduesit kandidatët për Departamentin e Thesarit.

Dritan Nesho, një shqiptar me njohje të jashtëzakonshme për konjukturat që mund të vendosen afër Trump, njërin prej tyre e përshkruan si Soroist i nivelit të lartë, por i penduar tashmë. Nesho, thotë se figura e tij ka marrë peshën tek Trump për shkak se prej kohësh ka qenë shumë kritik në atë që Soros bën.

Ndryshe nga administrata e mëparshme e Trump, ku Jared Kushner dhe Ivanka Trump kishin role kyçe, kjo pritet të jetë një periudhë e re ku Trump synon të krijojë një kabinet më të ndarë nga ndikimet e familjes. Duke lënë jashtë dy nga figurat më të afërta të familjes së tij, Trump dëshiron të shmangë perceptimin e një ekipi të kontrolluar nga një rreth i ngushtë, duke i lënë vend një ekipi të bazuar tërësisht mbi besnikërinë politike dhe përvojën e dëshmuar.

Ai mban mend qëndrimin e Ivanka dhe Jared në 6 Janarit të vitit 2020, kur dy më të afërtit e tij dolën nga Shtëpia e Bardhë me deklaratën publike se zgjedhjet kanë përfunduar.

Përjashtimi i Richard Grenell për çështje të hapura, që lidhen me ndikimin në Ballkan dhe hetimet potenciale nga Kongresi – megjithëse Kongresi do të jetë nën drejtimin e republikanëve – është një tjetër element që reflekton qasjen e kujdesshme të Trump për të shmangur çdo gjë që mund të destabilizojë administratën e tij, konsideron Nesho.

Duke ruajtur kontrollin e plotë mbi përzgjedhjen dhe drejtimin e administratës së tij, Trump ka sinjalizuar që nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje të jashtme nga figura që nuk ndajnë bindjet dhe vizionin e tij.

Kjo krijon një strukturë të qartë dhe të fortë, që i ngjan më shumë një administrate të centralizuar dhe të udhëhequr nga një “kryeministër de facto”, i cili nuk lë asnjë vend për kompromis. Ky quhet Trumpizëm i pastër, konstaton Dritan Nesho. Ky Trumpizëm ka krijuar frymë politike të fortë dhe njëkohësisht krijon kushtet për reforma të demokratët të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë të ndikuar nga Clinton-ët dhe Obama. Kjo periudhë ka marrë fund, konstatojnë kolegët tanë.

Në thelb, edhe Nesho ka bindjen se ky kabinet pritet të përfaqësojë një vizion të plotë të “Trumpizmit,” ku çdo pjesëtar i administratës është i dedikuar plotësisht ndaj agjendës së tij. Për Trump-in, ky është një shans i dytë për të realizuar vizionin e tij të pa kompromis dhe për të konsoliduar trashëgiminë e tij në një epokë të re të politikës amerikane.