Opinione / Kolumnistët

Tradhti me ndërgjegje të pastër, një udhërrëfyes nga Albin Kurti


Lirim Mehmetaj Kryeredaktor i Albanian Post, Prishtinë

Kur një formacion qeveritar nuk e bën punën mirë, dënimi është rrëzimi nga qeveria përmes votës së qytetarëve. Matja e punës bëhet me përmirësimin e jetës së njerëzve dhe stabilitetin institucional. Të dyja këto përllogariten edhe me indekse të ndryshme nga organizata të specializuara në sektorë të caktuar.

Sa për perceptimin rreth mirëqeverisjes, ai ndërtohet nga propaganda e pushtetit, kundër-rrëfimi i opozitarëve dhe pasqyra e prezantuar nga mediat.

Por, kryeministri Albin Kurti e ka dhënë një deklarim transformues edhe në matjen e punëve të tij, edhe në perceptimin rreth atyre punëve.

Për Kurtin, e rëndësishme është ndërgjegjja e politikanit. Saktësisht, mendimi subjektiv i individit për pastërtinë e tij shpirtërore është krejt çka nevojitet për të kuptuar nëse një punë është bërë mirë ose jo. Natyra abstrakte e ndërgjegjes përbën statusin ontologjik të politikanit, sipas Kurtit. Edhe pse s’ka asnjë studim shkencor, qoftë edhe raport, që si variabël për nxjerrjen e përfundimeve për mirëqeverisje merr pastërtinë e ndërgjegjes.

Përveç se është absurde, është edhe terren shumë i rrezikshëm.

Të gjithë ne nuk kemi një ndërgjegje të dhënë që, më pas, të matim fajet në raport me atë ndërgjegje të barabartë. Brejtja e ndërgjegjes varet shumë nga shkalla e formimit të ndërgjegjes. Jo të gjithë, e njëjta gjë i lë zgjuar natën.

Për dikë, ndryshimi i krejtësisht i qëndrimit është akt më së i mjaftueshëm që ndërgjegjja t’i shpallë luftë. Për të tjerë, në këtë rast kryeministrin, ndryshimi i qëndrimit nuk përbën arsye për një betejë minimale me ndërgjegjen e tij. Por, që të kesh brejtje të ndërgjegjes, fillimisht presupozohet që të kesh ndërgjegje.

Kurti në Kuvend sot nuk ngjau në një politikan të rafinuar që kërkon të jetë në rregull me zotimet në program, por në një primitiv të grupeve ekstremiste fetare që shqetësimin e kanë shpirtëror dhe ndaljen e korruptimit të raportit me hyjnoren e bëjnë përmes mortifikimit trupor.

Askush s’po i kërkon se si e ka marrëdhënien me Jiminy Cricket-in (ndërgjegjja e Pinokios) e tij dhe në çfarë shkalle i është korruptuar raporti me të.

Megjithatë, edhe nëse operojmë në këtë botë abstrakte dhe e zëmë se kjo do ishte kërkesa, për vlerësimin e fajeve potenciale të Kurtit nuk e ka ekskluzivitetin ndonjë trupë metafizike e përcaktuar nga vetë kryeministri. Vlerësimi do t’u nënshtrohej ligjeve shoqërore dhe moralit kolektiv dhe për fatin e mirë të tij, udhërrëfyesin për normat morale brenda botës politike e ka dhënë vetë Kurti, prandaj është familjar me to.

Albin Kurti, jo më larg se në vitin 2018, ka deklaruar se kompania serbe “kurrsesi” nuk bën të futet në Veri. Ka thënë se faturimin atje, nëse jo KEDS-i, duhet ta bëjë shteti. Sot kompania serbe futet në Veri dhe faturimin nuk do ta bëjë shteti dhe, për këtë, është pajtuar Kurti.

Si jemi deri këtu me ndërgjegjen?

Qeveria e Kosovës ka bërë negocime aspak transparente për marrëveshjen për energjinë. Kompania private KEDS është takuar fshehurazi me palën serbe, pa palën kosovare, për ta negociuar marrëveshjen dhe kjo u bë publike vetëm pasi qeveria e pa se i ranë në erë mediat.

Asnjëherë nuk është njoftuar Kuvendi i Kosovës se çfarë po nënshkruhet në Bruksel. Njoftimet e para se jemi pranë një marrëveshjeje i kemi marrë nga Aleksandër Vuçiç, kur foli para mediave serbe.

Ça thotë ndërgjegjja?

Negocime me palën që nuk na njeh, pra Serbinë, në nivel jo të barabartë, pra me fusnotë. Në anën tjetër, refuzimi për Open Balkan konsiston pikërisht në jobarabarësinë në tavolinë që qeveria e proklamon. E njëjta situatë, dy qëndrime.

Ndërgjegjja ende e pacenuar?

Nga 5 lloje të kushteve, të panegociueshme, për bisedime me Serbinë, në zero kushte dhe shumë negociata. S’ka njohje nga Serbia, s’ka ndryshim të Kushtetutës, s’ka kërkim falje për krimet, s’ka kthim të të pagjeturve, s’ka zhdëmtim, s’ka dorëzim të kriminelëve serbë, s’ka kthim të depozitave bankare, kthim të fondit pensional, librave kadastralë, librave të amzës, artefakteve kulturore, por ne bisedojmë me Serbinë me një intensitet më të lartë se kurrë.

Ndërgjegjja akoma s’i ka rënë ziles?

Rikthim nga shenjat e një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke në bisedime teknike, te fillimet e procesit negociues, por prapë punët mirë me ndërgjegje, pasi faji projektohet te paraardhësit.

Kjo është teknika e fundit që pushteti ka gjetur për ta mbytur çdo kritikë. Bëhet fjalë për atë që sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet si “Whataboutism”. Përgjigjja e çdo akuze ose pyetjeje të vështirë jo me një shpjegim, por me një kundërakuzë që, në vetvete, s’ka lidhje me akuzën fillestare.

“Whataboutism” është një formë e falsitetit logjik të njohur si tu quoque (edhe ti). Pra, i ballafaquar me një akuzë whatabout-isti nuk mohon akuzën, por sulmon edhe ai akuzuesin.

Kjo teknikë propaganduese, me të cilën ideja është ta mbytësh diskutimin, rrënjët i ka në propagandën e shtetit në Bashkimin Sovjetik.

Kur dikush ankohej se kushtet ishin çnjerëzore, përgjigjja ishte “po në Amerikë që linçohen zezakët?”.

Kështu pamundësohet çfarëdo lloj kërkimi i përgjegjësisë, sepse krejt çfarë nevojitet, është gjetja e një akuze tjetër.

“Ky hamburger nuk qenka i mirë”, Vërtet? “Po në Afrikë që s’kanë ushqim fare?”.

Por, cili është kuptimi të investosh aq shumë në shpërfaqjen e dallimeve mes teje dhe gjithë të tjerëve vetëm për të përfunduar më pas duke na treguar se dallimi nuk ekziston?

Sepse ky argumentim i shpëton të gjitha nga përgjegjësia. E çon fajin te njeriu i parë që ka folur shqip. Ai duhet të ketë bërë një gabim dhe, më pas, e gjitha është vetëm efekt i topit të borës.

Kjo është edhe parathënia e arsyetimit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Nënshkruesi i marrëveshjes do jetë veç noter. Fajtori është në të kaluarën. Prandaj, ndërgjegjja do vazhdojë të jetë e pastër.

Kjo ndërgjegje e pastër mirëmbahet nga njerëz si deputetët Dimal Basha e Armend Muja, të cilët ngjajnë në ata që Edward Lucas i quante “idiotët e dobishëm të Kremlinit” që arsyetonin çdo faj sovjetik me një situatë të vërtetë a të imagjinuar Perëndimore, që në vetvete s’kishte lidhje me rastin konkret për të cilin flitej.

“Përse po ndërhyni në çështjet e brendshme të shteteve të Evropës Lindore?” është pyetja për shembull. Idioti i dobishëm sovjetik përgjigjet: “E Amerika që ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të sandinistëve në Nikaragua?”.

Dimal Basha, i gjendur para nevojës së arsyetimit të nënshkrimit të marrëveshjes, filloi ta shajë kryetarin e Komunës së Ferizajt, pasi vjen nga PDK.

I shtyrë edhe më tutje, ai thotë se “ata tjerët e kanë bo bërllog”. I sfiduar se një kompani serbe po futet në Kosovë të sfidon me “e rrymën që është dasht që 20 vjet me ua pagu?”.

Ai nuk ka pasur ide cila do të jetë marrëveshja. As sot nuk ka. Nuk ka nevojë. Ai vetëm duhet të gjejë një kundërakuzë për çdo akuzë që i bëhet pushtetit, sepse është një idiot i dobishëm i kryeministrit.

Kryeministrit i konvenon Dimal Basha, njëjtë siç i konvenon votuesi fare pak i vetëdijshëm politikisht dhe tradicionalisht apatikë, derisa përmes recitimeve arrin të ruajë simpatizantët e fortë ideologjikë pavarësisht kapërcimeve politike.

Dhe tash së fundi, parametri i matjes së cilësisë ndryshohet krejtësisht duke na u prezantuar raporti i kryeministrit me ndërgjegjen e tij si elementi kryesor i gjykimit final të një politikani.

Ky duhet të jetë edhe standardi i ri i gjykimeve formale në bankat e të akuzuarve në gjykata. Si parakusht për fillimin e gjykimit, duhet të jetë opinioni i vet kriminelit për krimin e tij dhe si po i peshon krimi në ndërgjegje. Po e pati të pastër, prokurori s’ka rast.


Lajmet kryesore