Opinione / Teknologji

Të rinjtë rusë duhet të përshtaten me mjedisin e ri argëtues


Financial Times

Pa hamburger të McDonald’s. Pa Coca-Cola. Pa shfaqje në Netflix.

Në Rusi, krejt kompanitë që i po pezullojnë operacionet e atjeshme, po godasin rëndë veçanërisht konsumatorët e rinj.

TikTok-u, platforma e shpërndarjes së përmbajtjeve video, ka parandaluar ngarkimet e përmbajtjeve të reja.

Walt Disney dhe Warner Bros kanë ndaluar shfaqjet e filmave.

Kurse kompanitë e lojërave, në teori, mund të kenë një ndikim edhe më të madh. Por lëvizja e tyre për të pezulluar shitjet nuk nënkupton një dalje të plotë nga tregu.

Në atë vend, lojërat video përbëjnë një nga sektorët e teknologjisë me rritjen më të shpejtë.

Rusia numëron një popullsi prej 144 milionë banorësh, por është një treg mjaft i vogël për produkte të caktuara teknologjike.

Dërgesat e telefonave inteligjentë arritën në afro 35 milionë njësi në vitin 2021, çka është rreth 2.5 për qind e totalit global.

Ama vlerësohet se thuajse 42 për qind e popullsisë luan videolojëra.

Fundja, ka qenë një nga vendet e para në botë që njohu e-sportin si kategori sportive.

Zhvilluesi lokal i quajtur My.Games e vendosi tregun e lojërave në 2.2 miliardë dollarë në vitin 2020, me të ardhura më shumë se një të tretën në krahasim me vitin pararendës.

Dhe lojërat me format të lëvizshëm rezultonin segmenti me rritje më të shpejtë, 39 për qind më i lartë se një vit më parë.

Tanimë, këto kompani lokale do të përfitojnë nga largimi i rivalëve perëndimorë. Sigurisht, jo çdo kompani do të ketë kapacitetin për të përfituar.

Vitin e kaluar, banka ruse Sberbank hyri në tregun e lojërave bashkë me SberGames si pjesë e një plani më të gjerë për t’u bërë një version rus i Amazon-it.

Por sanksionet e tanishme nënkuptojnë se huadhënësi shtetëror po përballet me një rënie të shpejtë të fitimeve.

Nga ana tjetër, veprimi i kompanive perëndimore të lojërave nuk do t’i detyrojë lojtarët rusë të heqin kontrollorët e tyre të lojës.

Prodhuesi i Fortnite Epic Games ka ndaluar shitjet e lojërave të reja, por lojtarët ende mund të kenë akses në ato ekzistuese.

Në mënyrë të ngjashme, botuesi i Call of Duty, Activision Blizzard, ka ndaluar shitjet e reja dhe ka ndaluar transaksionet në lojë, por nuk i ka ndaluar lojtarët.

Qeveria ukrainase po kërkon nga kompanitë e lojërave dhe operatorët e sporteve që të ndërpresin në mënyrë absolute lojtarët rusë.

Veç nëse lufta e Rusisë me Ukrainën vijon, sektori mund të jetë nën presion për të bllokuar plotësisht aksesin.


Lajmet kryesore