Formula e njohur e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, për kohën ku u shpallë si qellim që duhet ndjekur ishte një gjetje gjeniale, meqë qenësia shqiptare përgjatë shek. XIX, ishte e pa strukturuar dhe e ndarë në tri qendra të mëdha të gravitimit religjiozo – kulturor, rrezikonte që në proces të zhdukej. Nevojat që impononte procesi i formimit të kombit – shtet, qenien shqiptare e vendosi përballë një domosdoshmërie të gjetjes së një formule në mënyrë që të tejkalonte pengesat që e sfidonin një qellim të tillë. Përderisa kombet tjera në qëllimet e tyre kishin pengesat e tyre, edhe shqiptarizma në procesin e formimit të vet, një nga sfidat që kishte, ishte ndarja religjioze. Kështu të ndarë në myslimanë, katolikë e ortodoksë, shqiptarët rrezikonin të asimiloheshin në kultura të ndryshme që brenda tyre pjesë përbërëse e kishin elementin religjioz.
Formula “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ku synohej kapërcimi i identifikimit përmes religjionit duke e përqafuar identitetin kombëtar shqiptar si kupolë që i përfshinë brenda të gjithë nënshtresat identitare, funksionoi mirë. Por, kjo formulë më pas u keqpërdor duke u shndërruar në një të vërtetë obligative të përhershme, pa çka se qëllimin final e ka arritur prej kohësh: Identiteti shqiptar është strukturuar, ekziston kombi shqiptar. Ekzistojnë edhe shtetet shqiptare. Por, pavarësisht kësaj, formula e shek. XIX provohet t ‘na imponohet edhe sot. Për këtë ka edhe angazhim institucional, çdo ditë ligjërojnë e shkruajnë profesorë institutesh dhe katedrash universitare.
Dhe, që këtu nis problemi, edhe me formulën e rilindjes, edhe me agjentet e saj. Madje sot, insistimi në bindjen ndaj asaj formule është me radikal sesa që ishte në kohën kur duhej të ishte radikal qëndrimi. Me fjalë tjera, Pashko Vasa, ishte shumë më konstruktiv sesa pasuesit e tij sot. Ai atë formulë nuk e hodhi, as si mohim ndaj fesë, as si tendencë për ta paraqitur religjionin si më pak të rëndësishëm se kombin. E hodhi si kompromis i përkohshëm, si domosdoshmëri historike. Sot, ka një devijim nga pasuesit e tij. Devijimi vjen si pasojë e paaftësisë për ta kuptuar historinë si proces, duke mos e bërë dallimin fare mes konteksteve kohore.
Kështu, gjatë një interviste televizive, profesori universitar Muhamet Mala, i sfiduar nga gazetari Dritan Dragusha, i cili e pyet troç, pse duhet të jetë domosdoshmëri edhe sot kjo formulë, dhe çka mendoni për njerëz që e duan fenë ose ndonjë identitet më shumë se kombin? – Profesori përgjigjet: nuk e di pse nuk vlen edhe për ata kjo formulë. Pra profesori nuk mund as ta imagjinojë ndonjë situatë ku dikush mund ta ketë më të rëndësishme fenë sesa kombin, e lërë më ta trajtojë si fenomen normal dhe ta observojë shkencërisht mbi këtë çështje. Kaq është horizonti i tij “shkencor”. Muhamet Mala nuk është bërë historian pse e tundon kureshtja për të kaluarën, por ka mësuar (jo studiuar) histori për motive patriotike.
Në radhë të parë profesori që në momentin kur shpreh habinë përmes një pyetje të tillë, tregon që ai akoma gjendet në letargjinë nacionaliste të shek. XIX, duke qenë komplet indiferent për problematikat bashkëkohore që i karakterizojnë shoqëritë e ndryshme sot.
Profesori universitar vazhdon dhe ushqehet me iluzionin se kombi dhe shteti janë stacione të fundit të organizimit shoqëror. Ndërkohë, në epokën bashkëkohore ku po jetojmë, kemi kriza të identiteteve për të qëndruar të pandryshuar karshi sfidave që imponon globalizmi. Por, Globalizmi në botëkuptimin e profesorit, nuk ekziston. Për atë vlejnë si bashkëkohore konceptet e shekujve XIX dhe XX. Ironik është fakti që, gjatë asaj interviste, Muhamet Mala, kritikoi sistemin monist në Shqipëri, që sipas tij, e keqpërdori formulën e Pashko Vases për ta legjitimuar ateizmin si qëndrim zyrtar i shtetit.
Por asnjë autokritikë për strukturën demokratike shtet-komb që ai e promovon si vlerë e përjetshme, e që vazhdon akoma mbi premisën e asaj formule te Rilindjes, duke imponuar identitetin kombëtar si më të rëndësishmin karshi çdo identiteti tjetër. Këtu lind natyrshëm pyetja: ku dallon ai regjim autoritar i Hoxhës që e ndaloi fenë me regjimin e mitologjisë nacionaliste ku domosdoshmërisht identiteti kombëtar duhet të jetë para çdo identiteti tjetër?
Është për keqardhje mungesa e aftësisë për reflektim tek e gjithë kasta e historianëve kosovarë. Ajo intervistë shpërfaqi edhe një herë një të vërtetë të hidhur, Historiografia shqiptare është e mbushur, ose me njerëz që kanë vetëm aftësi memorizuese të ngjarjeve si Muhamet Mala, ose nacionalist që refuzojnë çdo interpretim tjetër për historinë përveç atij të mitologjisë kombëtare shqiptare, përsëri si Mala dhe të tjerët.
Se përse sot, një shqiptar duhet doemos ta ndjejë kombin para fesë ose çdo identiteti tjetër, asnjë mendje normal nuk arrin ta kuptojë, përveç atyre që rrëfehen në kishat e nacionalizmit shqiptar, e që ata i thonë universitete e institute.
Kjo është të mbytesh në formulën që dikur na shpëtoi. Si të thuash, arma e cila na shpëtoi dikur nga asimilimi, sot po na vret aftësinë për të ndërtuar shoqëri të hapur. E bashkë me këtë dhe neve si shoqëri. Sot për shqiptarët është sfidë të jetojnë të bashkuar mes vete dhe të pa ndarë me të tjerët. Të krijojnë një shoqëri ku liria është thelbi i organizimit, edhe liria për ta dashur fenë ose profesionin më shumë se atdheun.