Opinione / Kulturë

Të drejtat që nuk qëndrojnë dot drejt


Elsa Ballauri

Të drejtat e njeriut janë një nga togfjalëshat më të përdorur në Shqipëri që prej ndryshimit të sistemit politik, 30 vjet më parë. E njëkohësisht, një nga togfjalëshat më të panjohur dhe të pakuptueshëm. Të rinjtë nuk marrin mundimin ta analizojnë.  As të vjetrit. Pothuajse askush. Edhe ata që i  shkruajnë, edhe ata që punojnë me to, edhe ata që i votojnë. Të drejtat e njeriut janë fenomeni më abstrakt në shoqërinë shqiptare.

A keni parë ndonjë përpjekje të qeverisë për t’u shqetësuar për këtë mosekzistencë ?  Përkundrazi, aty ku ka pasur rast për të dhënë shëmbullin e një qeverie që shqetësohet për mbarëvajtjen e individit, kemi parë të kundërtën: dhunë policore përtej kompetencave, fjalor ofendues pa shkak, zemërim dhe hakmarrje individuale në zyrat e shtetit, përbuzje dhe indiferencë ndaj të varfërve nga sportelet e zyrave. Edhe ato përmirësime që janë bërë, kanë ardhur pas vitesh të gjata e të lodhshme të përpjekjeve të disa grupeve, ose të detyruara nga urdhërat që japin ndërkombëtarët. Dhe pastaj, impozohet me gjoja elegancë nëpër takime zyrtare, TV apo media sociale për të treguar se populli respektohet.

A keni parë ndonjë përpjekje të shoqërisë për t’u shqetësuar për këtë mosekzistencë ? Shumë pak. Fatkeqësi historike është që të drejtat e vetes shqiptari i njeh pak ose aspak për shkak të periudhës denigruese të komunizmit shumë vjeçar nga u trashëgua edhe mungesa e dinjitetit dhe respekti për veten. Kjo histori e trishtë mund të ishte e kuptueshme për dhjetëvjecarin e parë pas ndryshimeve. Por, nuk ka ndodhur kështu. Duket sikur sa më shumë kalon koha, aq më shumë ne sofistikuam gënjeshtrën dhe fallcitetin….dhe dembelizmin.  Po ndodh tek të gjithë. Qeveria sigurisht ka përgjegjësinë më të madhe, por mungesa e reagimit të shoqërisë, sidomos të të rinjve për të qene qytetarë të shqetësuar, janë pengesat më të mëdha që cënoinë edhe konceptin, edhe kuptimin e të drejtave tona. Dhe kështu ne, mbajmë peng vetveten.

Të rinjtë nuk i njohin mirë të drejtat sepse nuk ka menduar askush t’ia u mësojë ato që në fëmijëri. Edhe tekstet e pakta me metodologji të varfër, janë të pamjaftueshme ndërkohë që realiteti i përditshëm iu tregon çdo ditë të kundërtën: ajo që është e drejtë-luftohet, e gabuara-pranohet. Ata frymëzohën përkohësisht kur dëgjojnë një leksion të mirë, apo kur njohin një personazh sfidant.  Për fat të keq ky frymëzim mbaron shpejt, sapo dalin nga ajo kuvli shpresëdhënëse. Të pajisur me këtë lloj frymëzimi, jashtë kësaj kuvlie, ndjehen qesharakë.

Aktualisht, ka vetëm një debat të rastësishëm, që po i bën disa të rinj të ndërgjegjësohën për këtë realitet të mjerë. Por debati është kaq i vogël, sa asnjë, askush nuk merr më mundimin të bëhet idealist. Idealizmi është një term i vjetër dhe qesharak tek shqiptarët. Dhe as të rinjve nuk iu pëlqen më. Nuk iu pëlqen as protesta e organizuar, nuk iu pëlqen as të merren me të kaluarën për të kuptuar shkaqet e vërteta të pasivitetit të tyre, nuk duan ta vrasin mendjen shumë…në fund të fundit një rrugëdalje e kanë: largohen me pak para dhe ëndrra në xhep – bota ka ende ca vende ku ata mund te pranohen.

Po le të kthehemi tek debati…të paktën le të jetë ai në vend të bëmave të mëdha që ndonjëherë të rinjtë vetë apo edhe të tjerët presin prej tyre. Debati do t’i mësojë të analizojnë, të mendojnë thellë, të gjejnë arsyet se përse ndodh kjo – përse në një vend që kishte shanse të mëdha të riparonte veten nga mizerja e diktaturës, kjo nuk ndodhi. Sepse, fatkeqësisht, nuk ka analizë për faktet. Mjafton një filxhan kafeje e zgjatur në një lokal sa më luksoz dhe sa më të ekspozuar në sytë e të tjerëve – kënaqësi e vogël dhe e panevojshme, ndërkohë që koha kalon dhe fakti  se të drejtat tona nuk kanë bosht që t’i mbajë drejt, janë nën përgjegjësinë e të gjithëve.

 


Lajmet kryesore