Opinione / Teknologji

Si do ta ndryshojë Elon Musk Twitter-in?


Timothy L. O'Brien Kolumnist i lartë për median Bloomberg

Vetëm një ditë pasi u zbulua se Elon Musk kishte blerë 3 miliardë dollarë aksione të medias sociale Twitter, duke e bërë atë aksionerin më të madh të saj, shefi ekzekutiv i kompanisë shkoi në Twitter për të njoftuar sesi njeriu më i pasur në botë kishte vendosur të ushtronte detyrën e tij.

“Jam i ngazëllyer të ndaj lajmin që ne po emërojmë @elonmusk në bordin tonë!”, postoi CEO i Twitter, Parag Agrawal, të martën.

“Përmes bisedave me Elon në javët e fundit, u bë e qartë për ne se ai do të sillte vlerë të madhe në mbledhjet e bordit”.

Prit një minutë. Çfarë janë këto “biseda me Elon në javët e fundit”?!

Musk zbuloi të hënën se investimi i tij në Twitter ishte “pasiv”, që do të thotë se ai kishte si qëllim për të investuar në kompani dhe jo për të bërë asnjë nga gjërat që bëjnë palët “aktive” – ​​të tilla si marrja e një vendi në bord ose ofrimi i udhëzimeve të rëndësishme të korporatës që aksionarët e tjerë duhet ta votojnë.

Roli aktiv i Musk

Tani Musk ka një vend në bord dhe Agrawal, i cili pasoi Jack Dorsey-n nëntorin e kaluar, u ka bërë të ditur të gjithëve se të dy burrat kishin biseduar për javë të tëra.

E gjithë kjo tingëllon në mënyrë të dyshimtë aktive, pavarësisht se Musk e vesh manovrën e tij në pasivitet. Shtoje këtë në listën e çështjeve që Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC) duhet të zgjidhë, së bashku me konfliktet e tjera të mundshme të ngritura nga investimi i Musk në Twitter.

Musk, i cili e modelon veten si një mbrojtës i fjalës së lirë, por ka një histori të “mbytjes” së kritikëve të tij, mund të përbëjë një rrezik për mënyrën se si Twitter i qaset politikës së fjalës së lirë.

Tani që ai është zyrtarisht në bord, ia vlen të peshoni disa nga pluset dhe minuset e mundshme të pranisë së tij.

Vetë Agrawal përmbledhi virtytet e të pasurit Musk në bord: “Ai është edhe një besimtar i pasionuar dhe kritik i fortë i shërbimit që është pikërisht ajo që na nevojitet në @Twitter dhe në sallën e këshillit, për të na bërë më të fortë në planin afatgjatë”.

Musk, drejtori ekzekutiv i Tesla Inc. dhe themeluesi i Space Exploration Technologies Corp., është një vizionar dhe novator i mirëfilltë. Ai do ta sjellë atë “hije” edhe në Twitter, një kompani e lindur nga inovacioni, por me vizion të shkurtër.

Agrawal, i cili është 37 vjeç, është një teknolog karriere pa përvojë të mëparshme në drejtimin e një kompanie. Musk mund të ofrojë njohuri se si të kultivojë dhe fuqizojë talentin në Twitter.

Musk mund të ndihmojë gjithashtu shtrirjen e Twitter. Platforma është një vendstrehim i preferuar për gazetarët, të famshmit, liderët politikë dhe influencuesit, por jo shumë njerëz të zakonshëm e përdorin atë dhe ajo kurrë nuk e ka tejkaluar rolin e saj të hershëm si një forum për debat, analizë, promovim dhe vetë-shprehje.

Musk mund të parashtrojë misione alternative dhe partneritete të mundshme për Twitter që do ta lejonin atë të bëhet më popullor dhe më me ndikim.

Funksionaliteti i Twitter ka qenë gjithmonë i ngathët. Mjetet e kërkimit, redaktimit dhe ndarjes, për shembull, janë përmirësuar me një ritëm të ngadaltë. Kjo nuk u ka shërbyer mirë përdoruesve apo investitorëve të kompanisë. Twitter ende nuk e ka kuptuar plotësisht se si të menaxhojë reklamat dhe marketingun në platformë. Musk mund të sjellë një mendim të ri për këto probleme.

Ndoshta kontributi më i vlefshëm i Musk do të ishte ndryshimi i metabolizmit dhe kulturës së Twitter-it – duke e detyruar atë të lëvizë më shpejt dhe të marrë rreziqe më të guximshme. Kjo mund të jetë emocionuese për të gjithë ata që punojnë atje dhe do të ishte argëtuese për t’u parë.

Tani, anët negative

Ende nuk është e qartë se sa serioz është Musk për të sjellë ndryshime autentike në median sociale. Ai thjesht mund të përpiqet të tronditë “kafazin” e Twitter-it dhe të transmetojë ankesat e tij se kompania pengon fjalën e lirë – pavarësisht faktit se ai ka qenë në gjendje të endet nëpër platformë, i pakufizuar, si një shakaxhi i klasit botëror.

Musk është në Twitter sepse i pëlqen qendra e vëmendjes. Cilido qoftë motivimi i tij për të transmetuar publikisht informacione të brendshme – disa prej tyre janë të pasakta ose mashtruese – tweet-et e tij ndihmojnë në gërryerjen e pritshmërisë që drejtuesit e kompanive publike duhet të jenë të matur dhe t’i binden ligjit.

Tani Musk është aksioner dhe drejtor i një kompanie publike (Twitter) me një platformë që ai ka përdorur në të kaluarën për të promovuar kompaninë e tij (Tesla) dhe zotërimet e tij financiare (kriptomonedha).

A do të jetë ai duke “cicëruar” drejtpërdrejt mbledhjet e bordit të Twitter-it apo të ndajë informacione jo publike për financat e tij? Kjo ka të ngjarë.

A do të jetë Agrawal kukulla e Musk në vend të mbrojtësit të tij? Gjithashtu e mundshme. Në këtë kontekst, tweet-et e Agrawal për ardhjen e Musk-ut ngjasojnë me sindromën e Stokholmit.

Dhe si dëshiron Musk të formësojë zërin e përgjithshëm të Twitter? Ai e ka përdorur platformën për t’u hakmarrë kundër kritikëve dhe armiqve të tij, dhe sharjet e tij për të kufizuar fjalimin në Twitter duket se janë më shumë të informuara nga prirjet e tij liridashëse sesa nga realiteti. Pavarësisht nga një preferencë e deklaruar për një qasje të hapur ndaj fjalës së lirë, a e sheh ai në të vërtetë veten si portier i Twitter-it?

Askush i njohur me historikun e Musk nuk priste që ai të kishte një prani pasive në Twitter. U desh vetëm një ditë për të treguar se sa aktiv synon të jetë. Do të duhet pak më shumë për të zbuluar nëse përfshirja e tij në Twitter është për mirë – apo për keq.

 

 


Lajmet kryesore