Opinione / Editoriale

Shtëpia e së vërtetës


Bordi Editorial

“Pusetat e pasiguruara dhe ‘dy serbët e dyshimtë që vizituan Deçanin para helmimit’”, e publikuar nga Albanian Post, është një nga kronikat më të shpërndara dhe më të përfolura kohëve të fundit në mediat e Kosovës.

Kjo kronikë fliste për pasigurinë e pushimoreve të ujit në Komunën e Deçanit, pas helmimit të afër 2 mijë banorëve dhe për shqetësimet e një qytetari rreth një vizite të dy serbëve në lokalin e tij, të cilën ai e quante të dyshimtë.

Video-rrëfimi u ritransmetua nga të gjitha mediat serioze në Kosovë, por pati edhe të tjerë që kritikuan publikimin. Ideja ishte se mos ky publikim nxit njerëz të marrin veprime të pamatura dhe reagojnë me mllef pas helmimit masiv.

Dy ishin shqetësimet më kryesore. I pari, shumë më i vogël, për kualitetin profesional të historisë dhe, i dyti, shumë më i shprehur, për kontekstin në të cilin publikohej kronika dhe efekti që mund të shkaktojë ajo.

Për kritikën e parë, është shumë e lehtë të ndërtohet kundër-argument. Fakti që çdo media në Kosovë e Shqipëri e ka ritransmetuar, e përligj në mënyrë të menjëhershme aspektin profesional-gazetaresk. Asnjë media serioze nuk do ta ritransmetonte po qe se kronika do të çalonte në realizim, apo profesionalizëm. Të gjitha mediat e kanë ritransmetuar, madje disa e kanë përvetësuar, duke mos cituar fare burimin origjinal të lajmit.

Por, ky sqarim në vetvete ta zëmë se nuk mjafton. Sepse, as ne nuk e kemi kriter profesional ambientin mediatik shqiptar. Në kronikë, në asnjë moment, nuk konstatohet diçka, nuk fajësohet dikush dhe nuk jepet një përfundim.

Pasiguria e pusetave provohet me pamje, me kamerë, me prezencë të gazetares në vendin e ngjarjes, me ballafaqim me zyrtarët, të cilët ridërgohen në vendngjarje për ta vërtetuar atë pasiguri dhe, në fakt, e pranojnë edhe vetë.

Shqetësimi i qytetarit për vizitën e dyshimtë, vendoset të publikohet, pasi redaksia kupton se policia është në dijeni, po e heton si rast, dhe vetëm pasi qytetari zotëron pamje.

Në Deçan, nga biseda e ekipit të Albanian Post me qytetarë, ka pasur edhe dhjetëra të tjerë që kanë shprehur të njëjtin shqetësim, por nuk është vendosur të futen në historinë e kronikës, sepse kanë qenë në rrafshin spekulativ.

Megjithëse, nëse një shqetësim ekziston dhe shqetësimi është i shpërndarë te një numër shumë i madh njerëzish, mospublikimi nuk është profesionalizëm, por deformim i faktit dhe mosprezantim i realitetit e narracionit lokal. Normalisht që u mbetet organeve të vazhdojnë hetimet dhe të dalin me përfundime, sepse ata edhe i kanë mundësitë, edhe e kanë detyrimin për ta bërë një gjë të tillë.

Shqetësimi i dytë, ai i kontekstit në të cilin publikohet lajmi, kush merret profesionalisht me gazetari e di mirë se nuk futet fare në kalkulim. Gazetaria nuk ka për detyrim të mirëmbajë paqen sociale. Nisja nga këto premisa është kompromis i pafalshëm dhe dalje totale nga profesioni. Gazetaria nuk bëhet me mision tjetër, përveç misionit informues.

Vetëm paramendojeni çfarë deformimesh do të ndodhnin nëse gazetarët nuk do të raportonin, rrjedhimisht nuk do të informonin qytetarët për asnjë parregullsi, asnjë shkelje ligjore, me idenë se potencialisht mund të shkaktohen protesta, trazira apo çrregullime sociale.

Gazetaria, të paktën gazetaria në Albanian Post, ballafaqon me të vërtetën, pa bërë asnjëherë kompromis me këtë të vërtetë nga frika se ajo do të shkaktojë dhimbje këtu, apo atje.

Pas publikimit të kronikës; kanë filluar hetime të detajuara, është konstatuar se uji i pijshëm është kontaminuar, është shkarkuar ekipi që menaxhonte pusetat, është thirrur mbledhje e agjencive, edhe asaj të Inteligjencës së Kosovës, janë intervistuar njerëz përgjegjës për gjendjen. Dhe ato pushimore të ujit, më kurrë, nuk do të jenë në atë gjendje siç ishin para kronikës.

Disa organe, institucione, që nuk janë brenda gazetarisë i kuptojmë, madje i mirëkuptojmë në reagime – ato kanë punën e tyre, ne kemi punën tonë.

Puna jonë është shpalosja e së vërtetës – të vërtetës së plotë, sepse epiteti si Shtëpia e së Vërtetës, aq sa na jep krenari, na mbush me përgjegjësi të mëdha.


Lajmet kryesore