Opinione / Kolumnistët

Shqiptarët e pavarur, por të ndarë


Shqipëria këtë 28 nëntor feston 110-vjetorin e pavarësisë së saj.

Vit i shoqëruar me shumë ngjarje dhe evente në arenën ndërkombëtare.

Mbi të gjitha hapja e negociatave për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Objektiv politik ky, që i shtohet hyrjes në NATO dhe liberalizimit të vizave.

Pa dyshim që ky është një hap tejet i rëndësishëm drejt perspektivës evropiane.

Pa dyshim që Shqipëria ka marrë një rol lidershipi politik në rajon në një situatë të vështirë, pas pandemisë, përballë luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike.

Në Tiranë për herë të parë në histori u mblodhën për vigjiljen e pavarësisë Kuvendet e dy shteteve shqiptare, Shqipëria dhe Kosova.

Ngjarja nuk ka si mos të ketë rëndësi historike.

Për vëllezërit shqiptarë në Veri, festa e 28 nëntorit ka qenë përgjatë gjithë historisë jugosllave, krenaria e tyre, identiteti, kombësia dhe dëshira që një ditë ata do të mund të gëzonin atë pavarësi dhe festë me Shqipërinë amë.

Po sot kush është kuptimi i festimit të vigjiljes së 28 nëntorit së bashku? Sot që Kosova është e pavarur?

Hipoteza gjeopolitike e “Shqipërisë së Madhe” mund të jetë një dëshirë e shumë prej nesh, por mëse qartë nuk është në rendin e ditës në agjendën e politkës ndërkombëtare, dhe në rastin më të mirë mbetet një hipotezë e largët për politikën e dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës shpesh herë ka shprehur bezdisjen e tij për interesin e tepërt të kryeministrit shqiptar në çështjet e Kosovës.

Rivaliteti dhe ndoshta kjo bezdisje më shumë se këndvështrimi politik për të mirën publike bëri që Kosova të mbetet jashtë kreaturës politike të Ramës, Open Balkan, i cili parashikon marrdhënie poltike dhe tregtare stabël mes Tiranës dhe Beogradit.

Kryeministri Kurti u duk i bezdisur edhe pas apelit politik të rëndësishëm të Edi Ramës në Këshillin e Evropës në mbrojtje të liderëve të pavarësisë kosovare nën akuzë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Dhe së fundi Kurti duket sikur po do të vonojë patjetër hapat për normalizim dhe dialog me Beogradin, për të cilat Evropa dhe SHBA-të po ngulmojnë.

Dita e përbashkët e Kuvendeve në vigjilje të Pavarësisë pa dyshim që për parlamentarët shqiptarë është mënyra për të riafirmuar identitetin etnik dhe sot përkatësinë kombëtare.

Por për sa i përket raporteve me Tiranën, ato në mënyrë të qartë nuk janë të frymëzuar nga një klimë bashkësie, përkatësie dhe bashkëpunimi.

Evidente kjo edhe për opozitën demokratike shqiptare që herë me fjalë, herë më nënkuptime apo herë më postime në Facebook, kërkoi të ngulte thikën në shpinë qeverisë në ditën e Kuvendeve.

Ndaj rroftë Pavarësia dhe të bekuar qofshin shqiptarët në këtë ditë historike.

Por do të dinë ata të ruajnë bekimin për kombin?


Lajmet kryesore