Qeveria shqiptare miratoi së fundmi një vendim për të lehtësuar procesin e thithjes së studentëve të huaj nga institucionet tona të arsimit të lartë, një akt për t’u përshëndetur dhe që krijon premisa për një ndryshim cilësor në sistemin tonë të edukimit. Është koha që të krijohet një qasje e re kulturore në raport me hapjen e plotë të sistemit tonë universitar përballë konkurrencës ndërkombëtare. Institucionet publike dhe bota universitare duhet të punojnë së bashku që të ndryshojnë këtë status quo të një stanjacioni zvarritës, i cili mund të çojë, jo thjesht në tkurrjet serioze të institucioneve të arsimit të lartë, por dhe në tharjen kërcënuese të tregut cilësor të punës, humbjen në vijimësi të kapitalit human dhe ngushtimin e hapësirave për rritje dhe zhvillim ekonomik e social.
Studentët ndërkombëtar sot konsiderohen si një aset me rëndësi, jo vetëm akademike për universitetet, por dhe një pasuri për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Në një botë të hapur ku mallrat, kapitalet dhe idetë qarkullojnë lirisht dhe pa barriera, prej disa dekadash tashmë ky mobilitet është shtrirë edhe në botën universitare. Partneritetet midis universiteteve në kërkim shkencor dhe mësimdhënie, shkëmbimi i stafeve akademike dhe studentëve, krijuan një treg të vërtetë global të edukimit, që u pasua më vonë nga një mobilitet gjithnjë në rritje i të rinjve për të studiuar në vende të tjera. Më shumë se 6.5 milionë studentë ndërkombëtar numërohen sot në botë dhe rritja nga një vit akademik në tjetrin ka qenë impresionuese. Vendet e ndryshme, kryesisht ato të zhvilluara, filluan të adoptojnë një model tregu edhe për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke i parë studentët e huaj si një burim vlere të shtuar për ekonominë dhe shoqërinë e tyre. Ky model bëri që ShBA, Britania e Madhe dhe disa vende europiane të jenë në krye të vendeve për numrin e studentëve të huaj që kanë tërhequr deri sot.
Në një vlerësim të bërë së fundmi nga agjencitë në ShBA, atje studiojnë rreth 1.2 milionë studentë të huaj dhe të ardhurat llogariten në rreth 41 miliardë dollarë. Në Britaninë e Madhe, në vlerësimin më të fundit për kohortën 2021-2022, rezulton se përfitimi total i ekonomisë nga studentët e viteve të para ishte rreth 42 miliardë pound, ndërsa shpenzimet ishin 4.4 miliardë (bursa studimi, akses në shërbime publike, etj.). Raporti përfitim/kosto rezulton 9.4:1 . domethënë, për 1 paund të shpenzuar përfitimi është 9.4 paund! Nuk besoj se ka ndonjë projekt të investimeve publike që mund të sigurojë një raport të tillë fitimprurje.
Në një model dinamik, që shikon përtej përfitimeve ekonomike në afatin e shkurtër, impakti ekonomik dhe social i studentëve ndërkombëtar është disa herë më i lartë: në kërkim-zhvillim dhe cilësinë e punës shkencore; në rritjen cilësore të tregut të punës dhe mundësitë që krijohen për më shumë investime të huaja dhe rritje të produktivitetit; në krijimin e urave më të forta të lidhjes dhe bashkëpunimit me vendet e tjera dhe një lloji i “soft power” që krijohet për qëllime të diplomacisë politike dhe kulturore të vendit.
Parë në këtë kontekst, studenti ndërkombëtar, ashtu sikurse shërbimi i arsimit në tërësi, duhet të shihet si një e mirë publike që prodhon eksternalitete pozitive të rëndësishme. Por, siç e provon teoria ekonomike, tregu në prezencën e eksternaliteteve, nuk arrin të sigurojë nivelin optimal të të mirës. Kjo ka motivuar rritjen e investimeve publike në të mirat publike, përfshirë dhe tërheqjen e studentëve ndërkombëtar. Për shembull, brenda kufizimeve të caktuara, sistemi i bursave ofrohet edhe për studentë të huaj; fushatat marketing për promovimin e sistemit arsimor bashkëfinancohen nga fondet publike, aksesi në shërbimet publike iu ofrohet njësoj dhe studentëve të huaj, etj. Ofrimi i bursave për studentin ndërkombëtar është pikërisht thelbi i filozofisë së modelit të tregut, kundrejt modelit të ndihmës së huaj që e shikon bursën si mbështetje dhe jo si një investim.
Por një transformim edhe më të rëndësishëm duhet të realizohet brenda vetë institucioneve të arsimit të lartë me qëllim akomodimin e tranzicionit të studentit ndërkombëtar. Hapet një kantier i ri pune që prek të gjithë sistemet e brendshme të një institucioni, disa prej të cilëve po i rendis në vijim.
Duke nisur nga rishikimi i programeve dhe kurrikulës mësimore. Tekstet dhe kurrikula duhet të kenë kontekst të fortë global. Edhe pse shumë universitete përdorin tekste të autorëve të huaj dhe shtëpive botuese serioze, kjo nuk prek çdo disiplinë apo program mësimor. Prezenca e studentëve ndërkombëtar e pasuron dimensionin global të edukimit, duke rritur dijen dhe përgatitur më mirë edhe studentët lokal për një karrierë globale. Forcimi kontekstit global të kurrikulës ndihmon gjithashtu që studenti lokal të kuptojë, analizojë dhe adresojë më mirë sfidat lokale. Duke qenë se në Dokumentin e ri strategjik të arsimit të lartë 2025-2030 është paraparë krijimi i një fondi përkthimesh tekstesh të huaja, përzgjedhja e teksteve duhet parë edhe në kontekstin e qasjes globale të tyre. Kjo me qëllim të harmonizimit të kurrikulës mësimore si për studentin vendas dhe atë të huaj.
Këshillimi akademik duhet të jetë i mirëstrukturuar sepse gjetjet tregojnë se studentët ndërkombëtar ka më pak gjasa të kërkojnë këshillime në qendrat e këshillimit. Për këtë qëllim, universitetet duhet të jenë më mbështetës dhe ndihmues për të fuqizuar komunikimin ndërkulturor brenda ambienteve universitare. Prandaj një nga objektivat kryesore të ndërkombëtarizimit që duhet të arrijnë universitetet është krijimi eksperiencave pozitive për studentin ndërkombëtar:
Largimi nga familjet, komunitetet, kulturat e tyre, shoqërohet me probleme që ndikojnë në mirëqenien fizike dhe mendore të studentit. Prandaj është e nevojshme zhvillimi i sistemeve mbështetëse me qëllim integrimin e tyre në komunitetin e studentëve lokal.
Një model funksional i zhvilluar nga Bochner, Mcleod, dhe Lin ofron tre rrjete kryesore ndërveprimi: rrjeti bashkëveprimit midis bashkë-atdhetarëve, rrjeti kombëtar i vendit pritës dhe rrjeti ndërkombëtar. Rrjeti bashkëveprimit midis bashkatdhetarëve nënkupton ndërveprimin midis studentëve të të njëjtit vend të origjinës. Ndërveprimi përmes këtij rrjeti krijon mundësi jo vetëm për të ruajtur kontaktin me kulturën e vendit origjinë, por edhe për njohjen më mirë të kulturës së vendit mikpritës përmes perceptimeve dhe “story telling” të bashkatdhetarëve.
Ndërsa rrjeti bashkëveprimit kombëtar është me rëndësi për qëllime të zhvillimit profesional dhe akademik të studentit. Ndërsa ne jemi të gjithë në kampuse të largëta nga njëri-tjetri, ndërtimi i një student’s hub virtual, ku studentët e të gjithë institucioneve tona mund të ndërveprojnë midis tyre, do të kishte një ndikim shumë pozitiv në zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit të të gjithë komunitetit tonë të studentëve vendas dhe të huaj. Eksperiencat e universiteteve të tjera dëshmojnë për ndikim shumë pozitiv të hub-it në zhvillimin profesional dhe akademik, por dhe në planin human dhe personal.
Dhe në një fazë të tretë, ndërveprimi i rrjeteve tona të brendshme me rrjetet e studentëve ndërkombëtar do të krijonte një perspektivë edhe më pozitive përmes ndarjes së eksperiencave në një shkallë të gjerë.
Objektivi tjetër i radhës është lidhja midis politikave të integrimit të të huajve në sistemin arsimor, të kombinuara me politikat e integrimit në tregun e punës. Kjo përmirëson cilësinë e forcës së punës që është faktori kyç i produktivitetit dhe rritjes ekonomike.
Vendi e ka mundësinë të dalë në krye të vendeve të rajonit në tërheqjen e studentëve të huaj, nëse institucionet e administratës publike punojnë së bashku me institucionet e arsimit të lartë për të krijuar një klimë të lehtësuar, pa pengesa burokratike, dhe nëse ne ofrojmë programe të standardeve të cilësisë europiane me kostot kompetitive.